23:33 / E Martë, 30 Tetor 2018 / indeksADMonline

Mediumi francez shkruan për “enigmën” e vrasjes së Artan Sekiraqës nga bashkëshortja e tij në Francë

Edhe pse Suzana Zogjani është arrestuar në Prishtinë në fillimin e këtij muaji nën dyshimin për vrasjen e bashkëshortit të saj Artan Sekiraqa në Dole të Francës, mediet franceze kanë raportuar sot se “enigma e vrasjes” së 33-vjeçarit pritet të zgjidhet në Kosovë.

Siç raporton sot mediumi francez “L’Est Républicain“, Suzana Zogjani, e cila dyshohet se e vrau me sëpatë bashkëshortin e saj, do të gjykohet në Kosovë edhe pse dyshohet se vrau bashkëshortin e saj në Francë.

“Vrasja e Artan Sekiraqës, një kosovar 33 vjeç, kishte tronditur qytetin e Doles (në krahinën e Juras) më 29 shtator. Enigma e kësaj vrasjeje të tmerrshme është gati të zgjidhet”, shkruan mediumi francez.

“Gruaja e viktimës, e dyshuara kryesore në këtë rast, është arrestuar në fillim të tetorit në Kosovë, ku ishte strehuar me fëmijët e saj”, raporton L’Est Républicain.

Policia e Kosovës pas një operacioni të suksesshëm, më pesë tetor kishte arrestuar Suzana Zogjanin në Prishtinë.

Në raportin e policisë, çifti vlerësohej si agresiv dhe problematik. Familja e të vrarit kishte jetuar në Besançon, nga viti 2011 deri në vitin 2014 dhe më pas në Venissieuc në periferi të Lyon, përpara se të shkonte në Mulhouse në vitin 2015.