09:28 / E Diele, 17 Maj 2020 / indeksADMonline

Menaxhimi i Covid-19, Obama e kritikon qeverinë amerikane

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, përsëri e ka kritikuar qeverinë amerikane për menaxhimin e pandemisë gjatë një fjalimi që e mbajti të shtunën.

Këto komente paraqesin një rast të rrallë të qortimit të një presidenti në pushtet nga paraardhësi i tij dhe vijnë në mesin e një pandemia që ka pasur efekt shkatërrues dhe joproporcional te komunitetet e zezakëve dhe latinëve në Shtetet e Bashkuara, shkruan “The Guardian”.

“Të jemi të sinqertë, një sëmundje si kjo i vë në pah pabarazitë dhe barrët shtesë me të cilat komuniteti i zezakëve është dashur të përballet historikisht në këtë vend”, tha Obama gjatë një paraqitjeje “online”. “E shohim këtë në ndikimin joproporcional të Covid-19 në komunitetet tona”, shtoi ai.

Ish-presidenti vazhdoi më tutje me kritika, duke thënë: “Më shumë se gjithçka, kjo pandemi ka zbuluar përfundimisht dhe plotësisht që shumë njerëz me përgjegjësi nuk dinë çfarë janë duke bërë. Shumë prej tyre as nuk pretendojnë se kanë përgjegjësi.”

Ai shtoi se padrejtësitë me të cilat përballen afrikano-amerikanët nuk janë të reja, duke shtuar: “Nëse bota do të bëhet më e mirë, do të varet nga ju”, duke iu drejtuar studentëve të diplomuar në histori.

Obama e kritikoi qeverinë amerikane edhe javën e kaluar, duke thënë se menaxhimi i koronavirusit ka qenë një katastrofë kaotike absolute. Ky koment e nxiti reagimin e liderit të republikanëve në Senat, Mitch McConnell, i cili tha se do të kishte qenë mirë që Obama ta mbante gojën e mbyllur.