21:40 / E Hënë, 29 Janar 2018 / indeksADMonline

Mendim Rugova shpjegon çfarë po ndodhë me ajrin në Prishtinë [Foto]

Cilësia e ajrit në Prishtinë vetëm se po vazhdon  që të keqësohet. Kështu, një situatë e tillë ka ngjallur shqetësime të shumta në vend. Por, djali i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, Mendimi përmes një shkrimi ka shpjeguar detajisht këtë problem.

Ai ka thënë se në këtë muaj që jemi, “këto kushte meteorologjike kur fusha të presionit të lartë dhe masa të ngrohta ajrore shtrihen mbi rajon, ajri i ftohtë dhe i lagësht mbetet i bllokuar nën këto masa, dhe pasi që mungon edhe qarkullimi i mjaftueshëm i ajrit (erërat), në rrafshin e Kosovës, luginës së lumit Sitnica por edhe në rrafshin e Dukagjin formohen mjegulla ose mjegullina, që varësisht sa zgjatë kjo bllokadë nga fushat anticiklonike mund të mbesin me ditë të tëra”, ka shkruar Rugova në Facebook, transmeton Indeksonline.

Po ashtu, Rugova thotë se sipas parashikimeve të fundit, nga dita e enjte dhe premte sërish do të kemi mot më dinamik me erëra që pritet sadopak të përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe të shpërndajnë mjegullën dhe ndotësit që kanë mbetur të bllokuar ditëve të fundit.

Shkrimi i plotë:

Në fotot e publikuara në një artikull të një portali (foto 1 dhe 2), ku thuhet se si duket ndotja nga maja e Goleshit, nuk qëndron ky konstatim.

Në periudhën në të cilën gjendemi, fundi i janarit, në vendin tonë nën këto kushte meteorologjike kur fusha të presionit të lartë dhe masa të ngrohta ajrore shtrihen mbi rajon, ajri i ftohtë dhe i lagësht mbetet i bllokuar nën këto masa, dhe pasi që mungon edhe qarkullimi i mjaftueshëm i ajrit (erërat), në rrafshin e Kosovës, luginës së lumit Sitnica por edhe në rrafshin e Dukagjin formohen mjegulla ose mjegullina, që varësisht sa zgjatë kjo bllokadë nga fushat anticiklonike mund të mbesin me ditë të tëra. Dhe ky fenomen paraqitet gjithmonë në muajt më të ftohtë të vitit, e nganjëherë edhe në stinën e verës, në kushte tjera meteorologjike kur ka më shumë lagështi.

Nga fotot satelitore të marra më 27 janar 2018, bora paraqitet me ngjyrë të kaltërt të çelët, derisa mjegulla paraqitet me ngjyrë të bardhë. Përderisa po flitet që ndotësit më të mëdhenj janë termocentralet në Obiliq, që sdo mend edhe mund të jenë, ditëve të fundit kanë fryer erëra të lehta kryesisht nga krahu jugor, ku edhe mund të vërejmë që tymi nga tymtarët e TC “Kosova B” dhe ftohësit e TC “Kosova A” lëvizin në drejtim verior, jo nga Prishtina.

Njëjtë paraqitet edhe në foton tjetër të regjistruar mëngjesin e 28 janarit 2018, mjegulla vërehet me ngjyrë të bardhë, derisa bora me ngjyrë të kaltërt. Vërehet që kemi shtrirje të mjegullës përgjatë rrafshit të Kosovës dhe Anamoravës, por edhe në pjesën e poshtme të Dukagjinit dhe përgjatë Drinit në Shqipëri.

Si konstatim nga këto fotografi satelitore kemi të bëjmë me mjegull që nën këto kushte meteorologjike të një inverzioni termik, dhe mungesës së erërave, mban përtokë edhe ndotësit e ajrit por që nuk janë vetëm nga ndotja e ajrit.

Sipas parashikimeve të fundit, nga dita e enjte dhe premte sërish do të kemi mot më dinamik me erëra që pritet sadopak të përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe të shpërndajnë mjegullën dhe ndotësit që kanë mbetur të bllokuar ditëve të fundit.M.R./Indeksonline/