12:54 / E Martë, 30 Janar 2018 / indeksADMonline

Mendim Rugova thotë se sateliti që tregon pamjet e qarta të ndotjes së ajrit bëhet së shpejti

Ndotja e ajrit në Prishtinë është bërë shqetësuese, madje reagimet nuk kanë ndaluar prej pothuajse një javë, kështu duke u iniciuar edhe mbajtja e seancave të jashtëzakonshme nga Kuvendi i Prishtinës si dhe ai i Kosovës.

Lidhur me gjithë këtë çështje ka reaguar edhe, djali i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, Mendim Rugova.

Sipas tij,ndotja e ajrit ekziston me dekada, jo vetëm viteve të fundit.

Rugova ka bërë një krahasim të ndotjes së ajrit më parë, kështu duke theksuar se duke iu falënderuar satelitëve të NASA-s që monitorojnë Tokën që nga vitet e 70’ta, mund të shohim se si ka qenë gjendja gjatë dekadave të fundit, e sipas tij më së miri mund të vërehet ndotja nga tymtarët e industrive të ndryshme, se sa në shtresat e dëborës mbi sipërfaqe, transmeton Indeksonline.

Madje Rugova ka theksuar se në tetor të vitit 2017, Agjencia Hapsinore Evropiane (ESA) ka lansuar në orbitë satelitin Sentinel 5P, që si mission të tij ka imazhimin e ndotësve të ajrit rreth krejt Tokës, por që ky satelit ende nuk është operacional deri në tremujorshin eparë të këtij viti, nga ku mund të ketë pamje më të saktë të identifikimit të ndotësit kryesor, jo vetëm në rajon por në gjithë planetin.

Ky është postimi i plotë:

Ndotja e ajrit ekziston me dekada, jo vetëm viteve të fundit

30.01.2018 – Problemi I ndotjes së ajrit nuk është problem që është shfaqur vetëm viteve të fundit, prej qe Ambasada Amerikane ka filluar t’i shfaq në kohë reale matjet e parametrave ndotës, por daton me dekada, por se kurrë nuk janë shfaqur në publik shënime e tyre, nëse janë bërë matje të tilla.

Duke iu falenderuar satelitëve të NASA-s që monitorojnë Tokën që nga vitet e ’70-ta, mund të shohim se si ka qenë gjendja gjatë dekadave të fundit, dhe ku më së miri mund të vërejmë ndotjen nga tymtarët e industrive të ndryshme, se sa në shtresat e dëborës mbi sipërfaqe.

Po flitet që ndotësi kryesor janë termocentralet nga KEK-u, që patjetër se janë, por jo më në nivelin si kanë qenë më parë, dhe këtë po e ilustroj me disa fotografi satelitore të marra në dy periudha të ndryshme.

Në foton e parë, që është pamja më ilustruese, më 27 dhjetor 1988, pas një bore që kishte rënë nga mesi i atij muaji, ka pasur një bllokadë atmosferike (mosqarkullim i ajrit) dhe ngrica për gati dy javë. Nën ato kushte, në këtë pamje vërehet qartë shtrirja e pluhurit mbi shtresat e borës, nga tymtarët e TC “Kosova A”, ku mund edhe të vizatojmë lehtë trëndafilin e erërave. Vërehet qartë se pluhuri i TC-ve depërton deri në Prishtinë. Në foto vërehet edhe shtrirja e pluhurit nga tymtari, ndër më të lartit në Europë, i shkritorës së plumbit dhe zinkut në Zveçan, në pjesën e epërme të rrafshit të Kosovës, Vushtrri dhe Mitrovicë. Ndërsa sot kjo ndotje nga shkritorja nuk është më.

Në dy pamjet e tjera të realizuara pas të reshurave të borës, më 8 janar 2017 dhe 27 janar 2018, më nuk shfaqet ky pluhur në atë nivel siç ka qenë atyre dekadave, kjo pas instalimit të filtrave në TC “Kosova B”.

Për të ditur më saktë shkaktarët dhe ndotësit e ajrit, nevojitet një studim dhe analizim i grimaceve ajrore që të dihet burimi më i saktë i tyre.

Në tetor të vitit 2017, Agjensia Hapsinore Europiane (ESA) ka lansuar në orbitë satelitin Sentinel 5P, që si mision të tij ka imazhimin e ndotësve të ajrit rreth krejt Tokës, por që ky satelit ende nuk është operacional deri në tremujorshin e parë të këtij viti, nga ku mund të kemi pamje më të sakta dhe të identifikohen ndotësit kryesor, jo vetëm në rajon por në gjithë planetin tonë.

M.R.