12:08 / E Enjte, 02 Gusht 2018 / indeksADMonline

Mërgimtarët të zhgënjyer me Kuvendin (Foto)

Pritja e përvitshme “Bashkatdhetarët në Kuvend” po vjen duke u zbehur vit pas viti. Edhe sivjet Kuvendi i Kosovës ka organizuar këtë ngjarje ku përmes një tabele u ka uruar mirëseardhjen mërgimtarëve. Halit Elshani qysh në orën 10:00 të mëngjesit për një kohë të gjatë ka qëndruar i vetëm në hollin e Kuvendit pasi që përveç stafit civil aty nuk ndodhej asnjë deputet për ta pritur.

Ai shprehet i zhgënjyer ndaj deputetëve që nuk kanë gjetur kohë për t’i pritur mërgimtarët, por gjithashtu ai kritikon edhe mërgimtarët të cilët edhe ata nuk kanë shfaqur interes për ta vizituar Kuvendin e Kosovës. Gjatë kohës sa po fliste para mediave aty shfaqet deputetja Ganimete Musliu bashkë me deputetin Zenun Pajaziti të cilët i uruan mirëseardhjen edhe dy-tre mërgimtarëve të tjerë.

Deputetja Musliu e arsyeton mospjesmarrjën e deputetëve në këtë ngjarje pasi që siç thotë ajo tash është kohë e pushimeve dhe deputetët nuk ndodhen në Prishtinë. Edhe ata pak mërgimtarë që erdhën në mungesë të deputetëve u shoqëruan nga stafi civil i kuvendit për ta vizituar sallën e Kuvendit të Kosovës, ata shprehën të zhgënjyer me situatën politike dhe ekonomike në Kosovë dhe për këtë edhe e arsyetojnë mosinteresimin e bashkatdhetarëve për ta vizituar Kuvendin./Indeksonline/