12:14 / E Premte, 08 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Merkeli dhe Pompeo reagojnë pas kritikave të Macronit ndaj NATO-s, Rusia i cilëson “fjalë të arta”

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka përshkruar kritikën e Emmenuel Macronit ndaj NATO-s si drastike, pak orë pasi presidenti francez tha se Aleanca e Atlantikut Verior është në prag të vdekjes për shkak të mungesës së koordinimit dhe papsrashikueshmërisë së Shtëpisë së Bardhë.

“Presidenti francez ka zgjedhur fjalë drastike. Këndvështrimi im rreth bashkëpunimit brenda NATO-s nuk është ky. Mendoj se nuk është e nevojshme një goditje kaq e rëndë”, tha Merekli në një konferencë të përbashkët shtypi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Berlin.

I pyetur nëse beson ende te Artikulli 5 i traktatit sipas të cilit vendet e NATO-s duhet të mbrojnë njëri-tjetrin në rast të sulmeve ushtarake nga të tretë, Macroni u përgjigj: “Nuk e di!”.

Për këto deklarata, të bëra në një intervistë me britaniken “The Economist”, reagoi edhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili e quajti NATO-n aleancën më të rëndësishme ushtarake në historinë e njerëzimit. Edhe Pompeo ndodhet në Gjermani për festimet e 30-vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, i quajti “fjalë të arta” deklaratat e Macronit. Më 4 dhjetor në Londër do të mbahet Samiti i NATO-s.