17:44 / E Shtunë, 18 Mars 2023 / MSH

Mesazhe kërcënuese ndaj gazetarit Alban Selimi, reagon Bordi i RTK-së

Një person është arrestuar nga policia si i dyshuar në lidhje me sulmin në shtëpinë e gazetarit të RTK-së, Alban Selimi.

Policia ka konfirmuar për RTK-në, arrestimin e një personi i cili është mbrojtur në heshtje.

Dy ditë më parë, shtëpisë së gazetarit të redaksisë së emisoneve hulumtuese “Udhëve” në RTK, është tentuar t’i vihet zjarri.

Përveç zjarrit, i dyshuari ka shkruar në dritaren e shtëpisë së gazetarit edhe një sharje e cila cilësohet si kërcënim dhe lë të nënkuptohet se sulmi ka të bëjë me punën e tij si gazetar.

Se sulmi dyshohet se ka të bëjë me punën e tij, e konfirmon edhe gazetari Selimi i cili organeve të rendit u ka deklaruar se nuk ka asnjë problem privat me asnjë person.

Në lidhje me këtë sulm dhë keto kërcënime ndaj gazetarit, ka reaguar të shtunën edhe Bordi i RTK-së.

“Bordi i RTK-së e ka pranuar me shqetësim lajmin për sulmin që është bërë ndaj shtëpisë së gazetarit të RTK-së Alban Selimi”, shkruan në këtë reagim.

Bordi rikujton se fakti që sot gazetarit i janë shkruar porosi në shtëpinë e tij, tregon se qëllimi i këtyre sulmeve është frikësimi i tij.

“Bordi i RTK-së kërkon nga organet kompetente që të merren me trajtimin e këtij rasti dhe kryerësit e këtyre veprave të vihen para drejtësisë”, shkruan në reagim.

“Bordi i RTK-së inkurajon të gjithë gazetarët e RTK-së që të vazhdojnë të raportojnë në mënyrë profesionale dhe objektive lidhur me të gjitha zhvillimet në vend”. 

Në lidhje me këtë rast, ka reaguar ditë më parë edhe menaxhmenti i RTK-së, i cili duke kërkuar zbardhjen e rastit, ka theksuar se sulme të tilla janë të papranueshme.

Për rastin ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Federata e Gazetarëve Evropianë.