11:49 / E Mërkurë, 03 Qershor 2020

Mesazhet nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese

Halit Krasniqi

Dy aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ai i vitit 2014 dhe ky i vitit 2020, do të shërbejnë deri të ekzistojë ky rend kushtetues. Kështu përfundimisht do ta lehtësojnë formimin dhe funksionimin e institucioneve të vendit tonë. Pas çdo procesi zgjedhor, kurdo që një subjekt fiton një deputet më shumë, të gjithë pajtohen se ka fituar të drejtën e formimit të institucioneve dhe këtë të drejtë nuk mund ta marr askush.

Në procedurat për formimin e institucioneve, nuk mund të bëhet asnjë hap në themelimin e tyre pa vullnetin e subjektit të parë. Këtë e thotë Kushtetuta mjaft mirë, por megjithatë pasionet politike, prirjet anarkike kur e dominonin skenën politike me 2014, nuk i bindeshin këtij formulimi. Është dashur të futet në funksion Gjykata Kushtetuese me kompetencat e saj, për ta bërë interpretimin dhe për ta dhënë leksionin e njohur që nga atëherë.

Por, subjekti që e fiton këtë të drejtë dhe kur arrin formimin e institucioneve, me një apo më shumë partnerë, nuk mund të luaj rolin e despotit. Ata mund të iniciojnë shkarkimin me mocion të suksesshëm mosbesimi. Partnerët e deri atëhershëm, bëhen rival dhe mund të krijojnë aleanca tjera. Prandaj, me ata duhet të ndahet pushteti dhe të kultivohen marrëdhëniet në interes të partneritetit për ta realizuar projektin qeverisës.

Nëse nuk veprohet kështu, krijohen situata anarkike dhe asnjë subjekt serioz nuk ofron mbështetje. Të tjerët, marrin të drejtën për ta vazhduar mandatin e dhënë nga votuesit. E drejta ankimore në Gjykatën kushtetuese, ekziston dhe atë nuk e mohon askush. Tani pas këtij vendimi, të gjithë do të binden se do ta ketë këtë epilog. Ky vendim ka sqaruar një situatë dilematike dhe do të ndërgjegjësojë sjelljet e subjekteve parlamentare.

Veçanërisht, leksioni është për subjektin e parë, i cili duhet të kujdeset që të mos e lëndojë partneritetin. Subjekti i parë, tashmë, vendimin Gjykatës Kushtetuese e cilëson me një terminologji të rëndë, si skandaloz. Duke e justifikuar këtë mos disponim se ka irrituar qytetarët. Ky refren është përsëritur nga njëri komentues i zhgënjyer, te tjetri. Ndërsa qasjet racionale do të pyesnin: cilët qytetarë? Nga 1 961 000 qytetarë me të drejtë vote, 1 740 000,  janë më shumë se 221 mije qytetarët që kanë votuar VV-në.

Nga këto shifra konkludojmë se të pakënaqur nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, mund të jenë 11% të qytetarëve me të drejtë vote. Ndërsa, nga 841 mijë qytetarët që votuan, prej tyre 26% janë të pa kënaqur. Megjithatë sa për të bërë trazira në rrugët e Prishtinës, janë mjaft. Por, a është e arsyeshme të bëhet kjo?

SHBA, duke njohur raportet tona kolektive me arsyen për këto të dhëna, reaguan menjëherë pas Vendimit të publikuar nga Gjykata Kushtetuese. Ata bënë thirrje për ta pranuar nga të gjitha subjektet parlamentare, pa kundërshtime, ashtu siç e ka edhe mandatin kushtetues.

Leksioni nga ky sugjerim miqësor, duhet të shoqërohet edhe me kujtesën mbi rezultatet e zgjedhjeve të fundit në SHBA. Sikur 62 milionë e 842 mijë votuesit e Partisë Demokratike që votuan zonjën Klinton, kundrejt 61 milionë e 500 mijë votuesve të Partisë Republikane për Donalt Trampin, të ngriheshin në protesta, duke u thirrur në të drejtën demokratike të shumicës së votuesve, çfarë do të ndodhte në SHBA. Por, atje as më e vogla protestë nuk është organizuar edhe përkundër se 1 milionë e 300 mijë votues ishin më shumë për kandidaten e Partisë Demokratike.

Pavarësisht se ky sistem zgjedhor kritikohet, afërsisht qe njëqind vjet kërkohet nga forume të ndryshme në ShBA të ndryshohet, megjithatë askush nuk është rebeluar dhe askush nuk ka protestuar, deri sa është ky rregullim kushtetues me rolin e faktorëve elektoral të zgjedhur nëpër shtete federale. Të gjithë amerikanët i binden këtij rendi. Rregullimi kushtetues, është ligj i pa kundërshtueshëm. Kështu duhet të bëhet normë e sjelljeve të qytetarëve edhe në vendin tonë.