11:10 / E Diele, 20 Maj 2018 / indeksADMonline

Mësohet kur përfundon rruga që lidh fshatrat e Vushtrisë me magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

 Muaji prill ka shënuar fillimin e punimeve për asfaltimin e rrugës që lidhë 18 fshatra të Artakollit në komunën e Vushtrrisë, kurse, përfundimi i asfaltimit pritet të zgjasë deri në vitin 2019.

Banorët e kësaj zone ku janë duke u zhvilluar punimet po përballen me shumë probleme, pasi që gjatë largimit të asfaltit ekzistues dhe rregullimit, po krijohet pluhur. Përveç pluhurit, banorët e fshatrave të Artakollit po përballen me vështirësi edhe për kalimin me vetura në atë pjesë të rrugës ku janë duke u zhvilluar punimet.

Ndonëse iu ka gëzuar fillimit të punimeve, Rrahim Bollopoja, banor i fshatit Reznik, vlerëson se punimet janë duke shkuar ngadalë.

“Shumë ka qenë e nevojshme se kemi pasur probleme vazhdimisht në këtë rrugë, kemi pasur dëmtime nëpër kerre… Pak ngadalë po shkojnë punimet, me punua pak më shpejt kish me qenë më mirë, se shumë ngadalë…Shumë është i rëndësishëm përfundimi se kjo rrugë është që i lidhë shumë fshatra të Artakollit”, tha ai.

Ndryshe mendon banori i fshatit Mihaliq, Ferki Syla, i cili thotë se punimet po shkojnë shumë mirë.

“Është e rëndësishme që këtu janë 40 fshatra që lidhen në këtë rrugë dhe po e shihni se çfarë rruge është. Fal kryetarit të ri po shtrohet kjo rrugë, deri më tani nuk ka pasur kurrkush interesim, fal tij filloj kjo rrugë me u shtrua. Shumë mirë po shkojnë punimet, kanë filluar në dy sisteme në hyrje dhe këtu dhe shumë mirë po shkojnë punimet”, u shpreh ai.

Kurse, për banorin tjetër të fshatit Reznik, Shaban Bunjaku ndërtimi i kësaj rruge është shumë i rëndësishëm për të gjithë banorët e fshatrave të Artakollit.

“Ndërtimi i kësaj rruge për këta banorë, sidomos ne që i quajmë Artakoll ka një peshë të madhe. Megjithëse me një vonesë, por apët pasi e kanë ndërmarrë këtë hap është me rëndësi. Këtej kalojnë edhe punëtorët, nxënësit, por edhe e gjithë kjo streha e Qyqavicës dhe besoj që ka peshë të madhe, sidomos pasi këtë pjesë e lidhë edhe me Obiliq, edhe me Prishtinë”, tha ai.

Asfaltimit të kësaj rruge iu ka gëzuar edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili ka thënë se është një prej rrugëve më të rëndësishme të qytetit që ai drejton. Po ashtu, ai u shpreh se do të jetë një infrastrukturë moderne, ku do të ketë edhe trotuar dhe ndriçim.

Ndërsa, sa i përket krijimit të pluhurit, kreu i Vushtrrisë premton se do të dërgojnë cisterna me ujë për të reduktuar aq sa është e mundur pluhurin gjatë punimeve.

“Kjo është një prej rrugëve më të rëndësishme në qytetin e Vushtrrisë, për shkak se lidhë shumë fshatra të Qyqavicës dhe është një rrugë që do të hap perspektivën e zhvillimit të atyre fshatrave. Do të iu mundësoj njerëzve të rrinë në shtëpitë e tyre, të zhvillohen atje, të kenë fermat e veta, të ndërtojnë familjet e veta dhe të kenë një qasje më të lehtë edhe me qytet. Një infrastrukturë moderne, është një projekt që është dy vjeçar. E di që aktualisht janë duke vuajtur për shkak se projekti ka bukur pluhur në atë rrugë, por do të mundohemi të dërgojmë cisterna me ujë vazhdimisht që të mos ketë edhe shumë pluhur. Por, gjithsesi i gjithë projekti do të përfundoj në vitin 2019 dhe do të hap përspektivë, do të ketë edhe trotuar, edhe ndriçim në vendbanime dhe është një projekt shumë modern”, ka thënë Tahiri.

Sa i përket punimeve, i pari i Vushtrrisë, thotë se janë duke shkuar shumë mirë dhe nëse gjithçka shkon sipas planit i gjithë projekti do të përfundojë në vitin 2019.

Asfaltimi i kësaj rrugë është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, e ministri i këtij dikasteri, Pal Lekaj, ka thënë se punimet do të përfundohen në afatin sa më të shkurtë.

Përkundër asaj që nuk ka dhënë një datë apo vit se kur do të përfundojnë punimet, ai thotë se të gjitha punimet që kjo ministri ka përgjegjësi po fillojnë me saktësi dhe në atë mënyrë do të përfundojnë.

“Sa i përket rrugës që lidh fshatrat e Artakollit, ne kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe kemi filluar punimet, mendoj se në afatin shumë të shkurtë do të kryhet ajo rrugë. Keni të drejt kur edhe jeni skeptik sepse nëse nisemi nga e kaluara janë stërzgjatur shumë projekte, mirëpo ju po e dini që me saktësi po i fillojmë dhe me saktësi po i përfundojmë. Edhe kjo rrugë në këtë mënyrë do të përfundoj, ka filluar mirë dhe do të përfundojë në kohën më të shkurtër të mundshme sipas kontratës”, ka thënë Lekaj.

Nga asfaltimi i rrugës do të përfitojnë 18 të Artakollit, ndërsa kjo rrugë lidhë fshatrat e Vushtrrisë edhe me magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, si dhe ka dalje edhe në Obiliq.