23:29 / E Premte, 16 Nëntor 2018

Mësohet se nga ishin duke u kthyer personat që mbetën të vdekur në magjistralen Prishtinë-Gjilan

Tre persona kanë mbetur të vdekur pas një aksidenti trafiku në magjistralen Prishtinë-Gjilan, respektivisht në fshatin Mramor.

Indeksonline mëson se viktimat, Arife Shala (88 vjeçare), Agron Shala (22 vjeç) dhe Elfete Rashiti (65 vjeçare) kanë mbetur të vdekur në vend, derisa Osman Shala (65 vjeçar) i ka mbijetuar aksidentit.

Të njëjtat burime tregojnë se gjithë familjarët, të cilët ishin në veturën e tipit “Corsa”, ishin duke u kthyer nga një e pame (vdekje) të familjes Jashari nga Gjilani.

Në aksident ishte përfshirë edhe vetura e Ambasadës së Turqisë në Kosovë. E lënduar ka mbetur diplomatja, Kivilcim Kiliç e cila ishte e shtrirë në Emergjencën e QKUK-së.

Ndryshe, zëdhënësja e Policisë për rajonin Prishtinës, Flora Ahmeti ka dhënë detaje për aksidentin me fatalitet.

“Në aksident trafiku janë përfshirë tri automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar 6 persona. Dy prej tyre kanë vdekur në vendin e ngjarjes. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor. Ndërkohë që personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor”, ishte shprehur ajo.
Vlen të theksohet se krerë të institucioneve vizituan të lënduarit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. /Indeksonline/