18:23 / E Premte, 20 Mars 2020 / indeksADMonline

MFT: Vendimi për shtyerje të pagesës së tatimeve deri më 30 prill vlenë vetëm për sektorin privat

Ministria e Financave dhe Transfereve përmes një komunikatë për medie ka sqaruar vendimin e ministrit, Besnik Bislimi që e ka marrë të e enjten në lidhje me për zgjatjen e afatit për dorëzimin e deklaratave, raporteve dhe pagesave të detyrimeve tatimore, si dhe trajtimin dhe vendosjen lidhur me kërkesat për rimbursime, që ndërlidhen me zbatimin e legjislacionit tatimor në fuqi deri më 30 Prill 2020.

Në sqarimin e MFT-së, thuhet se sipas këtij vendimi nga shtyrja mund të përfitojnë vetëm tatimpaguesit e sektorit privat.

“Sipas këtij vendimi, nga kjo shtyrje mund të përfitojnë të gjithë tatimpaguesit të sektorit privat, pa përfshirë sektorin publik. Në këtë kontekst duhet sqaruar se tatimpaguesit e sektorit publik që nuk përfitojnë nga kjo zgjatje janë autoritetet publike – pra një autoritet publik qendror, rajonal, komunal apo lokal, organ publik, ministri, departament apo autoritet tjetër që ushtron pushtet publik ekzekutiv, legjislativ, rregullator, administrativ apo juridik, në kuptim të nenin 1, paragrafi 1.3. i Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, i plotësuar dhe ndryshuar”, thuhet në sqarimin e MFT-së.

Më tutje Ministria e Financave dhe Transfereve sqaron se në këtë nuk janë të përfshira ndërmarrjet publike të cilat përkohësisht përfitojnë nga lehtësimet e këtij vendimi.

“Ky definicion nuk përfshinë ndërmarrjet publike, të cilët plotësisht përfitojnë nga lehtësimet e krijuara nga ky Vendim”, thuhet në sqarim.