16:41 / E Martë, 25 Shtator 2018 / indeksADMonline

Michael Kors blen Versacen, kjo është shifra e shitjes

Shtëpia e modës milaneze Versace është blerë nga firma luksoze e modës amerikane Michael Kors, në një marrëveshje me vlerë 2.1 miliardë dollarë.

Versace ishte një nga kompanitë e pakta të modës italiane që ishte e pavarur deri tani, shkruan IndeksOnline.

Marrëveshja, e raportuar fillimisht nga e përditshmja italiane Il Corriere della Sera javën e kaluar, e sheh familjen Versace të shesë aksionet e saj prej 80 përqind dhe firmën private të kapitalit amerikan Blackstone, 20 përqindëshin e mbetur që ajo e kishte nën pronësi nga viti 2014.

Kompania e modës amerikane gjithashtu tha se Versace do të jetë nën ombrellën e “Capri Holdings” me rastin e mbylljes së marrëveshjes, së bashku me Michael Kors dhe Jimmy Choo.

Donatella Versace, motra e themeluesi të ndjerë Gianni Versace ( i cili u vra në Miami Beach në vitin 1997) do të vazhdojë të ‘udhëheqë vizionin krijues të kompanisë’, ndërsa shefi ekzekutiv i Versace, Jonathan Akeroyd do të mbetet në krye të kompanisë.

Lajmi i shitjes nuk u prit mirë nga fansat e markës italiane, të cilët përdorën rrjetet sociale si Twitter dhe Instagram për t’u ankuar, duke thënë se Michael Kors do të ‘vriste’ markën.

Michael Kors, e cila është e famshme për çanta, nuk është aq luksoze si Versace. Çanta të Michal Kors mund të blihen për pak më shumë se 100 $, ndërkohë që shumica e çantave të Versace kanë çmim prej £ 500 deri në £ 1,000.

Donatella Versace zotëron 20 për qind të aksioneve në shoqëri, vajza e saj Allegra ka 50 për qind të aksioneve, ndërsa Santo, vëllai i Donatellës, mban 30 për qind të mbetur.

“Santo, Allegra dhe unë do të bëhemi aksionarë në Capri Holdings Limited. Kjo tregon besimin tonë në suksesin afatgjatë të Versace dhe përkushtimin ndaj këtij grupi të ri global të luksit të modës “, tha Donatella Versace./IndeksOnline/