17:52 / E Enjte, 29 Gusht 2019 / indeksADMonline

Microsoft konfirmon datën e daljes në shitje të HoloLens 2

Microsoft prezantoi për herë të parë HoloLens 2 në Kongresin Mobil Botëror në Shkurt të këtij viti duke premtuar debutimin e tij nga fundi i 2019-ës.

Tashmë sipas agjencisë së lajmeve Reuters HoloLens 2 do të dalë në shitje në Shtator. Shefi i inteligjencës artificiale dhe kërkimit pranë Microsoft Garry Shum zbuloi datën e debutimit të pajisjes në Konferencën Botërore të Inteligjencës Artificiale që po mbahet në Shangai.

Nuk është e qartë se kur pajisja do të jetë e disponueshme në Shtator dhe a do të shitet për zhvilluesit dhe bizneset njëkohësisht.

Microsoft ka filluar të marrë porositë e HoloLens 2 për 3,500 dollarë në fillim të vitit përpara prezantimit të edicionit për zhvilluesit.

Pajisja e re e realitetit të shtuar përmban një fushëpamje të përmirësuar, një sensor Azure Kinect, një procesor ARM, sensor për gjurmimin e lëvizjes së syve dhe një sistem tjetër ekrani.

Microsoft gjithashtu ka përmirësuar kontrollin përmes gjesteve në HoloLens 2 që të mund të manipuloni objektet më lehtësisht.

Kompania ka filluar të adoptojë një model më të hapur për HoloLens 2 dhe Windows. Zhvilluesit mund të krijojnë dyqanet e tyre të aplikacioneve, modelin e tyre të shfletimit dhe do të kenë në dispozicion më shumë API dhe drivera.