00:03 / E Martë, 14 Mars 2023 / C E

Milani zhvilloi ndeshjen e parë në histori të saj pa një italian startues

Milani barazoi me Salernitanën në San Siro 1:1, kështu duke humbur mundësinë për t’u ngjitur në renditjen tabelore.

Por rezultati mbetet në plan të dytë, pasi kuqezinjtë për herë të parë në historinë e tyre kanë filluar takimin pa asnjë italian në 11-shen startuese.

Gazzetta dello Sport ishte ajo që nxori në pah një statistikë të tillë historike për kampionin në fuqi, Milanin, që zakonisht në formacionin bazë ka të paktën dy apo tre italianë, ndërsa ndaj Salernitanës asnjëri nuk filloi ndeshjen.

Një nga mesfushorët më të mirë në treg, Sandro Tonali, u pushua dhe nuk filloi nga minuta e parë, që shkaktoi jo pak befasi te tifozët kuqezinjë, pasi italiani ka filluar në çdo ndeshje të kësaj sezone.

Tonali nuk ishte i vetmi italian në bankën rezervë. Me të ishte edhe Davide Calabria, Alessandro Florenzi, Tommaso Pobega, Matteo Gabbia dhe Antonio Mirante.

Sandro Tonali signs AC Milan contract extension

Milani deri më sot kishte pasur gjithmonë të paktën një futbollist italian në formacionin fillestar në një ndeshje të zhvilluar në Serie A.

Për këtë pritet një reagim i trajnerit të Kombëtarës së Italisë, Roberto Mancini, që është i ftuar në emisionin e DAZN për analizën e ndeshjes së sotme të zhvilluar nga 19-herë kampionët.

Goli i Olivier Giroud në fund të pjesës së parë ishte i pamjaftueshëm që t’i rikthejë kampionët në fuqi në rrugën e fitoreve, pasi Bulayae Dia shënoi për barazimin e rezulatit në pjesën e dytë.

Milani vazhdon të qëndrojë në pozitën e katërt, në një sezon dëshpërues për ta, pas një arritje të madhe që pati në sezonin e kaluar.