Mimoza Kqiku: Shkelësit e të drejtave të punëtorëve po gjobiten, aktualisht kemi 42 inspektorë pune
Mimoza Kqiku, këshilltare e ministrit të Punës, Skënder Reçica, ka thënë se do të jenë të pa kompromis ndaj inspektorëve dhe të gjithë atyre që shkelin ligjin dhe të drejtat e punëtorëve.
Këto deklarime Kqiku i dha sot në debatin televiziv në Info Magazine, derisa shtoi se aktualisht në Kosovë ka 42 inspektorë pune, shifër kjo e cila pritet të rritet në 45 deri në fund të këtij viti, njofton Klan Kosova.
”Po bëhet fjalë për një periudhë më të gjatë që kap edhe dekada. Është situatë goxha e gjatë, që normalisht nuk e kemi gjendjen siç do donim ta kishim”.
”Referuar edhe situatës pak më alarmante që e kemi kohëve të fundit, ministri Skender Reçica ka mbledhur njerëz për intensifikim të punishteve të larta”.
”Janë intensifikuar inspektimet në Prishtinë e Fushë Kosovë. Kjo është në procedurë, kemi intensifikuar inspektimet që nga prilli. Nga e diela disa punishteve iu është pezulluar puna”.
”Inspektorati i punës për këtë tetëmuajsh ka shqiptuar 243 gjoba. Janë gjobitur kompanitë me të gjitha masat e ndëshkimit të përcaktuar”.
”Është rritur numri i gjobave. Aktualisht kemi 42 inspektorë, gjatë vitit pritet të shtohen edhe tre inspektorë të rinj”.
”Është e rëndësishme që të shtojmë numrin e inspektimeve. Është e rëndësishme që të ngritet vetëdija në mesin e punëdhënësve dhe punëmarrësve që në momentin kur shkelen të drejtat të raportohen”.
”Jemi në vitin e reformave. Kemi lansuar dy ligje të rëndësishme. Ligjin e Punës si dhe Ligjin për Lehoninë. Nuk mund të marrim masa, kur nuk raportohen rastet”.
”Inspektorati kur has se po shkelen dispozitat ligjore merr masa sipas legjilacionit në fuqi. Do të jemi të pa kompromis edhe ndaj inspektorëve në raste të caktuara kur nuk kryhet puna siç duhet”.
”Do të jemi të pa kompromis edhe ndaj shkelësve të ligjit edhe në raste kur nuk shqiptohen gjoba”.
”Kemi raste që një inspektor nuk ka kryer punën siç duhet, por meqë ende nuk është dhënë verdikti final s’mund të themi se është dënuar”.