13:27 / E Diele, 07 Janar 2018 / indeksADMonline

Ministri Bytyqi paralajmëron vlerësim të mësimdhënësve

Vlerësim për të gjithë mësimdhënësit paralajmëron Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e këtë do ta bëjnë për të identifikuar nevojën për trajnim të mësimdhënësve.

I pari i kësaj ministrie, Shyqiri Bytyqi, thotë se këtë vlerësim të mësimdhënësve nuk do ta bëjnë formalisht, por do ta bëjnë në mënyrë profesionale.

“Fjala test pak është e rëndë dhe po ka reagime të ndryshme nga mësimdhënës të ndryshëm, por vlerësim do të ketë. Pak a shumë do të jetë identifikimi i nevojave për trajnim, pra nuk do ta quaj ndoshta testim sepse testimi ndoshta mund të kuptohet duhet të kaloj dikush apo nuk duhet të kaloj nga ai testim. E jona është që t’i vlerësojmë, t’i identifikojmë nevojat shtesë për ti trajnuar mësimdhënësit, këtë do ta bëjmë patjetër. Normalisht, nuk do të bëjmë gjëra formale sa për t’i identifikuar cilat janë nevojat shtesë për trajnim, do ta bëjmë trajnimin në mënyrë profesionale që ekziston dhe pastaj normalisht që do të jetë edhe një vlerësim”, tha ministri i Arsimit

MASHT-i ka bërë trajnime për mësimdhënësit rreth kurrikulës së re, por që ministri Byqyqi thotë se një masë e madhe e mësimdhënësve trajnimet i kanë mbajtur vetëm për formalitet dhe se nuk e kanë mbajtur trajnimin për të arritur nivelin e marrjes së informacionit për ta zbatuar atë kurrikulë në praktikë.

Gjithashtu, ministri ka thënë se mësimdhënësit duhet të vetëdijesohen se nuk janë mësues vetëm kur shkojnë në shkollë, ai tha se mësimi tërë jetësor duhet të zbatohet patjetër në Kosovë.

“Mësimdhënësi duhet të jetë mësimdhënës dhe ai duhet të dijë se në shkollë shkon për të dhënë mësim, për ta bërë të aftë një të ri  që nesër të jetë i gatshëm për tregun e punës. Ky mësimdhënës nuk duhet të jetë mësimdhënës vetëm kur shkon në shkollë dhe e merr ditarin për vetëm tri orë apo katër orë. Ai duhet ta dijë që minimumi është tetë orë mësimdhënës, por pse jo edhe 24 orë, pra mësimi tërë jetësor duhet të zbatohet patjetër në Kosovë se për këtë ne jemi të vendosur ta zbatojmë. Mund të ketë kundërshtime, por ne jemi të vendosur që gjerat t’i dërgojmë përpara. Nëse mësimdhënësi nuk vazhdon të aplikoj një përgatitje tetë orësh, atëherë ne do të jemi të detyruar që t’i mbajmë në shkolla tetë orë mësimdhënësit në mënyrë që ata të kuptojnë që kanë minimumi tetë orë obligim që të jenë mësimdhënës”, ka thënë Bytyqi.

Në vitin 2018 do të mbahet testimi ndërkombëtar PISA, e që për këtë ministri Bytyqi ka bërë të ditur se ka kërkuar nga PISA që ky test të shtyhet për një vit, kërkesë kjo e cila nuk është pranuar. Po ashtu, ai tha se ka qenë mundësia që të tërhiqen nga ky test dhe të fillojnë gjithçka nga e para në vitin 2021, por që nuk e ka parë të udhës ta bëjë këtë shtyrje.

Bytyqi tha se pas refuzimit të kërkesës kanë krijuar një komision ku kanë bërë një plan dinamik që në këtë periudhë shumë të shkurtër të marrin hapa konkret për të qenë të përgatitur për këtë testim.

“Komisioni ka marrë për obligim dhe ka bërë planin dinamik që deri në testin Pisa 2018 i cili do të mbahet diku kah fundi i prillit, fillimi i majit t’i mbajmë dy teste provuese, pra komisioni është duke punuar që në të gjitha shkollat e Kosovës të kemi një test provues dhe të shohim se cila është gjendja aktuale dhe pastaj të marrim masa që në testin e dytë provues që pretendojmë t’i mbajmë vetëm në shkollat të cilat do të jenë të përzgjedhura nga Pisa. Besoj që do ta kemi informacionin që mund t’i përzgjedhim shkollat dhe të bëjmë testin e dytë provues ku me testin e dytë do të eliminohen dobësitë që janë identifikuar nga testi i parë, e dyta dhe do të familjarizohen nxënësit me formën e mbajtjes së testit. Keni parasysh se në vitin 2018, pra Pisa 2018 për herë të parë do të mbahet forma digjitale e testit që edhe kjo mund të na shkaktoj një problem ajo që nuk ka ekzistuar në vitin 2015”, ka thënë ministri.

Një problem ministri Bytyqi e sheh edhe natyrën e pyetjeve, ku në testin Pisa 2015 pyetjet kanë qenë logjike dhe kanë kërkuar edhe përgjigje logjike, e për këtë ai thotë se mësimi logjik në shkollat e Kosovës mungon.

Prioritet për vitet e ardhshme për MASHT-in është arsimi profesional, ku ministri Bytyqi ka thënë se është shumë i interesuar që këtë ta zhvilloj në nivelin e duhur në mënyrë që të rinjtë e Kosovës të përgatiten dhe të jenë të shkathët për tregun e punës.

Në këtë drejtim ai tha se do të punojnë shumë që ti zhvillojnë shkollat profesionale, t’i pajisin shkollat profesionale me pajisjet adekuate, një bashkëpunim të ngushtë me bizneset që nxënësit të kenë mundësi për praktika. Po ashtu, ai tha se janë duke bërë edhe një plan nacional për shkollat profesionale.