16:13 / E Enjte, 01 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ministri Bytyqi takoi udhëheqës të arsimit, mësimdhënës e nxënës në Prizren [Foto]

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka qëndruar sot në qytetin e Prizrenit, ku ka zhvilluar disa aktivitete në këtë komunë dhe është takuar me përfaqësues të institucioneve arsimore, mësimdhënës dhe nxënës.

Fillimisht, ministri Bytyqi është pritur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, me të cilin ka biseduar për çështje të ndryshme të arsimit, me theks të veçantë për profilizimin e mësimdhënësve nga kl. 1-5, përgatitjet për testin PISA 2018, si dhe Maturën Shtetërore. Ministri, me këtë rast, kërkoi mbështetje nga Komuna dhe përgjegjësit e arsimit për realizimin me sukses të këtyre proceseve.

Më pas, Bytyqi ka vizituar Gjimnazin “Gjon Buzuku” dhe Qendrën Burimore “Nëna Terezë” në Prizren. Në të dy këto institucione, Ministri ka takuar udhëheqësit, mësimdhënës dhe nxënës, me të cilët ka biseduar për të arriturat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen këto institucione.

Ndërsa, në takimin me drejtorët komunalë, drejtorët e shkollave dhe mësimdhënës nga rajoni i Prizrenit, ku u diskutua për profilizimin e mësimdhënësve nga kl. 1-5, ministri Bytyqi theksoi rëndësinë e kësaj reforme që po synon ta realizojë MAShT, me qëllim që të ngritët cilësia në arsim.

Gjatë kësaj dite, ministri Bytyqi ka marrë pjesë edhe në debatin për testin PISA 2018, i cili është mbajtur në ambientet e Qendrës së Kompetencës në Prizren, e ku kanë marrë pjesë drejtorë komunalë të arsimit, drejtorë të shkollave, mësimdhënës e nxënës. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe udhëheqësi i GIZ-it, Boris Scharllovski, organizatë kjo e cila po e mbështetë MAShT-in në këtë proces dhe procese të tjera në arsimin parauniversitar.

Ministri Bytyqi me këtë rast theksoi nevojën e mobilizimit të të gjithëve, në mënyrë që të kemi një organizim sa më të suksesshëm të testit PISA, të kujdesemi që mësimdhënësit dhe nxënësit që do t’i nënshtrohen këtij testi të kenë informacionet e nevojshme për natyrën dhe rëndësinë që ka ky test për sistemin arsimor në Kosovë.

Që kjo ky proces të shkojë mbarë, Ministri theksoi se është hartuar Udhëzimi Administrativ dhe është caktuar komisioni për përgatitjet e këtij procesi, ndërsa theksoi edhe nevojën e mbajtjes së orëve shtesë për nxënësit, në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të mira./Indeksonline/