21:38 / E Enjte, 23 Qershor 2022 / OSH

Ministri Çeku: Dje na la Xhevdeti sot Vjosa, arti ynë humbi dy njerëz të jashtëzakonshëm

Ditën e djeshme (e mërkurë) u bë e ditur se ka ndërruar jetë poeti i njohur me prejardhje nga Rahoveci, Xhevdet Bajraj.

E ditën e sotme (23 qershor) u kumtua lajmi për vdekjen e regjisores së njohur, Vjosa Berisha.

Lidhur me këtë reagimet kanë qenë të shumta nga të gjithë ata që e njohën e bashkëpunuan me ta.

Foto: Screenshot/Facebook

Një të tillë e ka bërë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

I njëjti ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e poetit e po ashtu edhe regjisores Berisha.

Postimi i plotë i Çekut (pa ndërhyrje):

“Dje na la Xhevdeti, sot Vjosa. Në kulmin e dhimbjes për ndarjen nga jeta të poetit të madh shqiptar, Xhevdet Bajraj, na erdhi lajmi tjetër i kobshëm për shkuarjen në amshim të regjisores dhe producentes së njohur, Vjosa Berisha.

Në momente si këto, fjalët nuk arrijnë të kapin thellësinë e dhimbjes. Arti ynë humbi dy njerëz të jashtëzakonshëm, krijues të palodhshëm, personalitete të pazëvendësueshme.

Ngushëllime familjeve, miqve dhe gjithë komunitetit artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Xhevdetit dhe Vjosës”.