13:38 / E Enjte, 19 Shtator 2019 / indeksADMonline

Gashi i jep mirënjohje ish-mundësit, Sadik Ferati

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka pritur në takim ish-mundësin Sadik Ferati, fitues i dy medaljeve botërore.

Ferati e zuri vendin e parë në stilin e lirë më 1991 në Kampionatin Botëror mbajtur në Kanada dhe vendin e tretë në stilin greko-romak.

Më këtë rast, Gashi tha se ndihet i nderuar që i jep mirënjohje mundësit Sadik Ferati dhe njëherësh ai premtoi se me ndryshimet e reja të rregulloreve për sport do të ofrojnë mundësinë që të gjithë sportistët, sikurse mundësi Sadik Ferati, të cilët sjellin medalje, të përfitojnë shpërblime nga shteti.

“Në kohën kur Ferati kishte filluar të ushtonte profesionin e mundësit nuk kishte qenë e lehtë, sepse në atë kohë vendi ynë kishte sfida të mëdha politike dhe vendi ynë ishte i izoluar. Andaj MKRS-ja, zotohet që do të mbështesë sportistët  dhe arritjet e tyre, sepse ata po mundësojnë që vendi ynë të njihet anekënd botës” tha Gashi.

Ndërkaq, mundësi Sadik Ferati falënderoi Gashin për pritjen e ngrohtë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj sportistëve. Ai tha se “pas 20 vjetësh për herë të parë po hyj në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe jam shumë mirënjohës që Gashi më ofroi këtë mundësi. Viteve të fundit i përcjelli me vëmendje rezultatet e sportistëve dhe pa mbështetjen e Gashit nuk do të kishim këto arritje që i kemi sot”.