14:30 / E Hënë, 23 Shtator 2019 / indeksADMonline

Gashi në Javën Evropiane të Sportit: Jam i fokusuar që ta avancoj sportin e Kosovës

Për një javë, nga 23 deri më 30 shtator, në Kosovë do të organizohet Java Evropiane e Sportit, ngjarje e cila po mbahet për herë të dytë në vendin tonë.

Java Evropiane e Sportit, e cila organizohet nën patronazhin e ministrit në detyrë të Kulturës, Kujtim Gashi, do të mbahet në tërë Kosovën, ku do të organizohen mbi 80 aktivitete, për tetë ditë, ndërsa pritet të marrin pjesë rreth 22 mijë persona.

Në Javën Evropiane të Sportit Gashi në fjalën e tij tha: “Për 8 ditë, nga sot në Kosovë do të organizohen aktivitete fizike dhe sportive që kanë qëllim aktivizimin e qytetarëve që të mos jenë pasivë por të merren me aktivitete në dobi të shëndetit të tyre, siç është sporti. Java Evropiane e Sportit shënon 5-vjetorin e themelimit nga Komisioni Evropian, me 84 ngjarje në 8 ditë, ku pritet të marrin pjesë rreth 22 mijë persona”, tha ai.

Ndërkaq, Gashi tha se që nga marrja e detyrës si ministër isha fokusuar që ta avancoja sa më shumë sportin në Kosovë, në mënyrë që Kosova të kishte imazh të mirë ndërkombëtar përmes sportistëve tanë.

“Sivjet BE-ja ka zgjedhur të financojë një ngjarje të veçantë, e cila do të mbahet më 27 shtator, në Suharekë. Pres që konkluzionet të jenë në dobi të sportit, temat që do trajtohen uroj të sjellin idetë dhe planet konkrete që do të avancojnë sportin në Kosovë. Që nga marrja e detyrës jam munduar maksimalisht të përmirësoj infrastrukturën sportive dhe të kemi imazh të mirë sportiv në arenën ndërkombëtare”, tha Gashi.

Gashi foli për arritjet e ministrisë për fushën e sportit me ç’rast ai tha se “në mandatin sa kam udhëhequr Ministrinë e Sportit, përpos investimeve në shumë projekte kapitale, kemi siguruar përkrahje të drejtpërdrejtë për sportistë e talente që Kosova krenohet me ta. Kemi bërë kategorizimin e sporteve dhe federatat dhe ata qysh në fillim të vitit e dinë se sa do të përkrahen nga buxheti i shtetit. Po ashtu, është qartësuar edhe mënyra e avancimit të federatave në kuadër të këtij kategorizimi sipas akteve normative të cilat i ka sponsorizuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.

Ndërkaq kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, e falënderoi Gashin për praninë dhe bashkëpunimin që ka treguar në raport me sportin.