08:47 / E Premte, 05 Mars 2021 / OSH

Ministri gjerman reagon pas deklaratave të Kurtit për bashkim me Shqipërinë

Ministria gjermane e Punëve të Jashtme po zhvillon gjatë tre muajve të parë të vitit një sërë takimesh virtuale dhe fizike me kolegë nga Ballkani Perëndimor.

Të martën ministri gjerman i Punëve të Jashtme zhvilloi një bisedë telefonike me ministren e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka. Në janar zhvilloi vizitën e tij të parë në Berlin, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Gjorgje Raduloviq, të enjten ishte në Berlin ministri serb i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviq, ndërsa javët e ardhshme pritet të vijë edhe ministrja e Jashtme e Bosnjë e Hercegovinës.

SHBA-ja për zgjidhje në koordinim me BE-në

Krahas perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor një nga temat kryesore në takime është normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, tha pas takimit me homologun e tij serb, Nikola Selakoviq, se administrata e Joe Bidenit është e interesuar që të ketë një zgjidhje në koordinim me BE-në dhe se ai vetë është në pritje të krjimit të Qeverisë së re në Prishtinë.

Jo ndryshimit të kufijve

Sa u përket deklaratave të fundit të Albin Kurtit, i cili me gjasa do të jetë kryeministri i ri i Kosovës, për bashkimin me Shqipërinë, Maasi tha se “diskutimet për ndryshimin apo zhvendosjen e kufijve nuk na çojnë përpara”.

Paralelisht me bisedimet midis ministrit të Jashtëm Heiko Maas dhe ministrit të Shtetit Michael Roth, në fillim të javës në Prishtinë ishte për vizitë përfaqësuesi special i BE-së për dialogun e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.  Vetëm disa ditë më parë, Departamenti i Shtetit i SHBA-së kishte nënvizuar  mbështetjen e SHBA-së për këtë dialog të udhëhequr nga BE-ja me qëllim normalizimin dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke.

Zgjedhja e Joe Bidenit president i SHBA-së ofron kështu mundësinë për të vepruar edhe një herë në nivel  transatlantik dhe me vendosmëri për pajtimin, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor, thuhet në një deklaratë të MPJ gjermane.

Procesi i Berlinit

Një nga temat që mbetet e hapur për t’u sqaruar deri në verë është se si do të vijojë procesi i Berlinit. Konferenca e fundit e tij do të zhvillohet në verë të këtij viti  në Berlin, për herë të fundit nën udhëheqjen e kancelares Merkel. Se në çfarë formati do të vazhdojë  kjo nismë, është e nde e paqartë./dw/