10:20 / E Diele, 07 Mars 2021 / Blerim

Ministri i arsimit: ”Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”

Ministri në detyrë i Arsimit, Ramë Likaj ka bërë një dedikim të veçantë, sot më 7 mars në ditën e mësuesit.

Likaj ka vlerësuar kontributin e mësuesve ndër breza, për të mbajtur gjallë arsimin shqip, duke e mbrojtur edhe duke dhënë jetën në mbrojtje të kauzës së tyre, raporton IndeksOnline.

Postimi i plotë i Ramë Likaj

Në ditën e tyre, 7 marsin, urojmë dhe nderojmë të gjithë mësuesit!

Kjo datë na përkujton 7 marsin e 1887-ës, kur u hap në Korçë mësonjëtorja e parë shqipe në drejtimin e Pandeli Sotirit.

Sot nuk mund të lëmë pa e theksuar kontributin e punonjësve të arsimit që edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme mbajtën shkollat hapur dhe arsimin e trajtuan me prioritet. Janë ata që ndër vite kontribuan për të mbajtur gjallë arsimin shqip dhe shumë prej tyre nuk e kursyen as jetën për lirinë e vendit.

Mësuesit e mirë janë udhërrëfyes dhe frymëzues në rrugën e ngritjes individuale dhe faktor kyç për emancipim shoqëror. E ardhmja nis dhe vuloset në bankat e shkollës, prandaj kësaj dite më së miri i shkon thënia e pavdekshme se “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”.

Urime!