16:52 / E Enjte, 18 Nëntor 2021 / MSH

Ministri i Financave kryeson takimin e portfolios me Bankën Botërore

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut Massimiliano Paolucci kanë kryesuar sot takimin e portofolios së Bankës Botërore me Ministritë e linjës.

Në fjalën e tij hyrëse, Murati shprehu mirënjohjen e tij ndaj Bankës Botërore për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë e Kosovës, e me theks të veçantë në periudhën e luftimit të pandemisë COVID-19.

Në anën tjetër, Paolucci falënderoi Ministritë e linjës për punën e deri tanishme duke theksuar se bashkëpunimi në mes të dy palëve ka rezultuar si i suksesshëm dhe produktiv në arritjen e objektivave të përbashkëta.

Gjatë takimit, Ministrat dhe Zëvendës Ministrat e linjës theksuan rëndësinë e projekteve të implementuara në bashkëpunim me Bankën Botërore.

Përfaqësuesit e Ministrive përkatëse u shprehën se projektet me Bankën Botërore kanë luajtur rol kyç në fusha të ndryshme si menaxhimi i pandemisë, zhvillimi ekonomik, digjitalizimi, menaxhimi i resurseve ujore, reformimi i shërbimeve sociale etj. të cilat thelbësisht ndikojnë në ngritjen e mirëqenies qytetare dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Përveç rëndësisë dhe të arriturave në implementimin e këtyre projekteve, përgjatë takimit u diskutua edhe për sfidat të cilat janë hasur në fazën implementuese, duke synuar që këto sfida të shërbejnë si mësime të nxjerra për implementimin e projekteve të radhës.

Paolucci gjithashtu shprehi gatishmërinë e Bankës Botërore për bashkëpunim të mëtutjeshëm me Qeverinë e Kosovës për projekte të tjera që synojnë zhvillim e sektorëve të ndryshëm në vend.

Së fundi, Ministri Murati falënderoi të pranishmit për takimin konstruktiv dhe Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme për institucionet e Kosovës, duke theksuar se Qeveria qëndron e përkushtuar të ofrojë transparencë dhe llogaridhënie gjatë implementimit të projekteve dhe menaxhimit të parasë publike.