12:16 / E Hënë, 26 Gusht 2019 / indeksADMonline

Ministri Ismaili përuron Laparaskopin e ri, në Klinikën e Gjinekologjisë

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar sot Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

Gjatë kësaj vizite ai ka përuruar pajisjen e re të Laparaskopit, e cila ka munguar në këtë klinikë në tre vjetët e fundit.

Me këtë pajisje, e cila ka kushtuar 86 mijë euro, profesionistët e shëndetësisë do të kenë mundësi që të realizojnë intervenime kirurgjike me prerje minimale përmes videokamerës të instaluar në të.

Intervenimet me Laparaskop ngrenë cilësinë dhe sigurinë e intervenimit, si dhe shkurtojnë kohën e shërimit të pacientit, duke zvogëluar në masë të madhe komplikimet post operative.

Gjatë përurimit të kësaj pajisjeje, ministri Ismaili tha se lufta kundër korrupsionit gjatë këtyre dy vjetëve ka krijuar mundësi të reja për investime në shëndetësi.

“Duke luftuar korrupsionin kemi rikthyer shpresën dhe besimin e qytetarëve në institucionet publike shëndetësore. Por, krahas kësaj kemi rikthyer edhe investimet. Jam shumë i lumtur që sot po përurojmë edhe një pajisje, e cila i ka munguar Klinikës së Gjinekologjisë për disa vjet”, ka thënë ministri Ismaili.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, tha se me këtë pajisje pacientëve do t’u ofrohen shërbime moderne gjinekologjike si në të gjithë botën.

“Kemi pasur mungesë të kësaj pajisjeje në tre vjetët e fundit. Kjo është një pajisje shumë e mirëseardhur, e cila na mundëson të realizojmë operime moderne që bëhen sot në gjithë botën. Kjo është në të mirë të pacientëve pasi që shkurton kohën e shërimit për ta”, ka thënë drejtori Jakup Ismaili.

Në Klinikën e Gjinekologjisë në dy vjetët e fundit janë ndërruar shtretërit, janë dërguar një numër i madh i pajisjeve të reja dhe janë transofrmuar sallat e operacionit.