22:18 / E Enjte, 16 Prill 2020 / indeksADMonline

Ministri italian i sportit tregon kur do të rinisin stërvitjet në Serie A

Ministri Italian i Sporteve Vincenzo Spadafora, nëpërmjet një videoje të shpërndarë në Facebook, ka bërë me dije se shpreson shumë që pas përfundimit të periudhës së izolimit, pra më 4 maj të rinisë stërvitja në klubet e futbollit në Itali.

Ai deklaroi se gjithçka do të varet nga ecuria e situatës me pandeminë Covid-19, që ditët e fundit ka dhënë shpresa se po vihet nën kontroll, por shtoi se rinisja do të kërkojë një protokoll të veçantë.

“Është folur shumë për rinisjen e kampionatit këto kohë. Data 4 maj është një afat që unë shpresoj t’ia dalim dhe të rinisin stërvitjet me dyer të mbyllura, por natyrisht duke hartuar dhe respektuar një protokoll strikt. Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë se si do të procedojë kjo pandemi dhe situate në vend, ndaj shpresojmë që gjërat të shkojnë mirë dhe të rinisim hapjen graduale që prej 4 majit”, deklaroi Spadafora.