17:14 / E Martë, 02 Janar 2018 / k.v

Ministri Reçica i përkushtuar në përmirësimin e gjendjes ekonomiko-sociale

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica që nga dita e parë e marrjes së detyrës në krye të këtij dikasteri ka vendosur prioritetet për të krijuar kushte në përmbushjen e obligimeve ligjore dhe në përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës. Në 100 ditët e para të Reçicës në krye të MPMS-së vërehen dukshëm rezultatet e prekshme në shumë sektor që bien në kompetencën e kësaj ministrie. Së fundi, është propozuar edhe ngritja e pagës minimale nga 170 sa është në 250 euro nga Këshilli Ekonomiko Social, punën e të cilit  e udhëheq ministri Reçica, ndërsa tashmë për këtë do të vendoset në mbledhje të ekzekutivit. Ai në një bisedë për Indeksonline ka treguar rezultatet e arritura dhe prioritetet e tij përgjatë mandatit.

“Menjëherë pasi kam nisur punën kam shfuqizuar vendimet e më hershme,  të cilat kanë qenë të padrejta, dhe me këtë rast kanë mohuar realizimin e të drejtës së aplikimit për pensione për familjet e dëshmorëve, viktimave civile, invalidëve civil dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, sikur edhe vendimin për ndërprerjen e punës së Komisionit Mjekësor për vlerësimin e shkallës së invaliditetit së invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendime këto që kanë shkelur të drejtat e këtyre kategorive  të përcaktuara me ligj”, ka thënë Reçica.

Ministri ka marrë vendim për ta formuar komisionin mjekësor për vlerësimin e shkallës së invaliditetit të invalidëve të UÇK-së ku sipas ministrit, shumë shpejtë ky komision do t’i trajtoj edhe rastet e para dhe me këto vendime thotë se u është  krijuar mundësia që përfituesit e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, të aplikojnë për të realizuar të drejtat e tyre sipas legjislacionit në fuqi.

Ministri ka folur edhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ku sipas tij, zvarritja, pa ndonjë arsye për shumë vite, e vendimit për kompensimin e këtyre viktimave  tanimë ka marrë zgjidhje dhe komisioni qeveritar  për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale shumë shpejt do të trajtoj edhe aplikacionet e para.

“Është adresuar çështja e pensioneve të dyfishta, në bazë të Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, personat të cilët janë përfitues të të cilit do pension të skemave pensionale të përcaktuara me ligj nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni nga skemat e veçanta pensionale të cilat menaxhohen dhe administrohen nga MPMS. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e ka deshifruar këtë problem dhe e kemi konsideruar si një e pa drejtë ndaj këtyre kategorive andaj kemi hartuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti. Në këtë projektligj, kemi paraparë ndryshimin që personat përfitues për pensionet kontributive të moshës dhe pensionet bazike të moshës të përfitojnë pension plotësues sipas ligjit në fuqi për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre”, ka thënë ndër të tjera kreu i MPMS-së, Skender Reçica.

Kur jemi te zbatimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, si Pensionet Invalidore të Punës dhe Pensionet Familjare,  për të cilat janë parashtruar  kërkesat që nga muaji mars 2017, përkatësisht nga muaji prill 2017, Reçica thotë se ka filluar edhe implementimi i Ligjit për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik dhe se për këtë kompensim janë të pranuara kërkesat, mirëpo shqetësues është fakti që qeveria e kaluar në buxhetin e vitit 2017 nuk ka planifikuar mjete financiare për të kompensuar përfituesit e këtyre kategorive, prandaj ne nuk kemi arrit të fillojmë  pagesat e tyre me kohë.

“Dua t’i siguroj përfituesit e këtyre kategorive që në buxhetin e vitit 2018, ne kemi planifikuar buxhet të mjaftueshëm dhe nga janari i vitit  të ardhshëm, do të fillojmë me kompensimin e pensioneve për këto kategori sipas legjislacionit në fuqi”, ka thënë ai.

Ndërsa në aspektin e punësimit, Reçica thotë se ka të arritura që vlen të përmenden, në këtë periudhë në punësim nëpërmjet zyrave të punësimit janë ndërmjetësuar 2 248 persona, prej tyre 1 134 janë të punësuar të rregullt, ndërsa 1 114 persona janë përfshirë në masat aktive të tregut të punës, që lirisht kjo periudhë mund të konsiderohet si një trend në rritje të punësimit.

“Objektivit të punësimit i ka paraprirë edhe aftësimi profesional, ku gjatë kësaj periudhe në qendrat e aftësimit profesional janë trajnuar 1 176 punëkërkues dhe janë certifikuar 725 punëkërkues të tjerë, të cilët tashmë kanë trajnimin e duhur dhe janë të gatshëm për tregun e punës”, ka thënë ai.

Si e arritur tjetër e cila ngërthen në vete edhe punësimin edhe mirëqenien sociale janë hartimi i Strategjisë Sektoriale të MPMS-së dhe Plani i Veprimit të Punësimit të të Rinjve.

“Janë dy dokumente të cilat adresojnë qartë objektivat e MPMS-së dhe Qeverisë në luftimin e papunësisë, përkatësisht punësimin e të rinjve, avancimin e kushteve të punës, sigurisë dhe shëndetit në punë, aftësimin profesional, orientimin në karrierë dhe gjithashtu përfshinë objektivin kryesor punësimin e një anëtari të familjes, të atyre familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar”, ka deklaruar ministri i MPMS-së.

Në kuadër të aktiviteteve për aftësim profesional, MPMS tashmë ka lansuar shpalljen për aftësimin e 25 të rinjve në Landin e Bavarisë në Gjermani në fushën e ndërtimit.

Kurse për të shtrirë më tej pjesëmarrjen në aftësime profesionale, ministri thotë se janë në diskutime dhe kontakte të vazhdueshme edhe me shtete tjera, që sa më shumë të rinj të aftësohen në profile deficitare, ose specializime të cilat mungojnë në Kosovë.

Gjatë kësaj periudhe, një vëmendje të posaçme ai thotë se i është kushtuar sigurisë dhe shëndetit në punë dhe me këtë rast janë transpozuar gjithsejtë 16 Direktiva të Bashkimit Evropian në legjislacionin e Kosovës, të cilat avancojnë kushtet e punës apo garantojnë standardet minimale sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

Gjatë 100 ditëshit të parë të punës së Reçicës janë nënshkruar shumë memorandume bashkëpunimi me organizata vendore dhe institucione të ndryshme për përmirësimin e gjendjes në terren.

Kurse duke folur për objektivat e MPMS-së, ministri Reçica thotë se i pret shumë punë përpara.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sipas tij, ka definuar objektivat për të përmbushur mandatin e saj. Këto objektiva janë reflektuar në programin qeverisës dhe në Strategjinë Sektoriale dhe Planin e Veprimit si dhe Planin e Veprimit për të Rinjtë, dokumente të cilat pritet të miratohen në qeveri. Këto dokumente gjithashtu janë pjesë përbërëse e Agjendës Evropiane, Programi për Reforma Ekonomike.

“Objektivat tona kryesore gjatë këtij mandati janë: Punësimi i një anëtari të familjes për secilën familje që nuk ka asnjë të punësuar,  aftësimi profesional dhe orientimi në karrierë dhe vetëpunësimi.

Ndërsa analiza e nevojave të tregut të punës është një objektiv tjetër i cili do të zë vend në punën e MPMS-së, me qëllim të harmonizimit të shkathtësive dhe aftësive profesionale të fuqisë punëtore me nevojat e tregut të punës;

“Avancimi i kushteve të punës së punëtorëve, luftimi i punësimit informal, garantimi i standardeve minimale të sigurisë dhe shëndetit në punë do të jetë një objektiv tjetër e MPMS-së. Në këtë fushë do të realizojmë reformën në Ligjin e punës duke transpozuar 15 direktiva të BE-së. Ky do të jetë një ligj i avancuar në përmbushjen e të drejtave të punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe do të rregulloj disa çështje që për një kohë të gjatë kanë qenë dhe janë pjesë e diskutimeve dhe debateve të ndryshme si pushimi i lehonisë, orari i punës, kontratat, dispozitat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e grave në punë etj”, ka deklaruar kreu i MPMS-së.

Sa i përket informalitetit, Reçica thotë se janë në periudhën e përfundimit të Projektligjit për Inspektoratin e Punës, i cili gjithashtu do të jetë një ligj i avancuar dhe do të përmbaj standarde të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO – International Labour Organisation).

MPMS do të jetë e përkushtuar në zhvillimin, nxitjen dhe promovimin e dialogut social në Kosovë. Në këtë kontekst do të punohet  ngushtë me organizatat e punëtorëve, punëdhënësve, me qëllim të ofrimit të zgjidhjeve më të mira për partnerët socio-ekonomik. Fuqizimi i rolit të dialogut social nëpërmjet ndryshimeve ligjore, fuqizimi i kapaciteteve të Këshillit Ekonomiko-Social si dhe hartimi dhe miratimi i kontratës se re kolektive,  do të jetë objektiv i veçantë i MPMS-së.

Fuqizimi i organizatave jo-qeveritare përmes licencimit dhe sigurimi i një fondi për financim të projekteve për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, Reçica thotë se do të realizohet nëpërmjet Ligjit për ndërmarrjet sociale, tashmë i miratuar në leximin e  parë në Kuvendin e Kosovës, i cili ka për synim tri qëllime: qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve sociale, ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe punësimin e personave në nevojë sociale. Me miratimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore do të filloj regjistrimi i ndërmarrjeve sociale, të cilat do të fillojnë ofrimin e shërbimeve të ndryshme dhe të integrojnë në punësim grupet e cenuara.

“Objektiv tjetër i MPMS është zgjidhja e çështjes së grantit specifik për shërbime sociale. Me rastin e decentralizimit të shërbimeve sociale nga niveli qendror në nivel lokal, shërbimet sociale nuk kanë trashëguar një qëndrueshmëri financiare për ofrimin e këtyre shërbimeve. MPMS është angazhuar të jetë pjesë aktive dhe të ngrit lobimin në ndryshimin e Ligjit për financat e pushtetit lokal, për të paraparë edhe grantin specifik për shërbime sociale”, ka thënë ai.

Reforma pensionale është një tjetër objektiv, me të cilin synohet të bëhet nëpërmjet aspektit legjislativ, organizativ dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Reformimi pensional sipas ministrit, do të realizohet përmes zhvillimit të sistemit të qëndrueshëm pensional, harmonizimit të kornizës ligjore, ngritjes së kapaciteteve institucionale, njerëzore dhe teknologjike.  Ndryshimet legjislative fokusohen në hartimin e një ligji të ri gjithëpërfshirës, në të cilin do të trajtohen të gjitha skemat pensionale, kategoritë e pensionistëve, pagesat dhe beneficionet, të rishikohen kriteret për përfitime në pensione, siç janë: të drejtat bazike për pension të moshës, kushtëzimet për pensionin bazik të moshës, rishikimin e viteve të kontributeve pensionale (nga 15 në 10 vite), njohja e stazhit për gjithë qytetarët, të cilët kanë punuar në sektorë dhe periudha të ndryshme kohore, kategorizimi i pensioneve invalidore të punës, definimi i procedurave të thjeshtëzuara për lajmërimin e pensionistëve./Indeksonline/