11:22 / E Enjte, 15 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ministri Reçica u jep sqarime protestuesve: Po e respektojmë ligjin!

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka dalë para ish pjesëtarëve të TMK-së, të cilët kanë shkuar pa paralajmërim në objektin e kësaj ministri për të kërkuar sqarime sa i përket ndaljes së njërit pension.

Reçica me këtë rast iu ka thënë se ai është me ta, por është gjetja e Zyrës së Auditorit që konstaton se ka shkelje ligjore për këto pensione.

Ai ka sqaruar se është kërkuar që të bëhet një komision shtetëror dhe në momentin që ky komision del me rekomandim se ka pas shkelje, do iu lëshohen pensionet e tyre menjëherë.

“Unë jam me juve, kurrë krenaria për juve s’ka me u largu. Sapo kam ardhur në këtë detyrë jam ballafaquar me situata të ndryshme për realizimin kërkesave tuaja. Mu ka dashtë vetëm 1 muaj që t’i shfuqizojë vendimet që kanë qenë në dëm të juaj. Ne e kemi obligim moral dhe jam krenar për këtë dhe po bëjmë punën që të drejtat e juaja me ligj të mos i cenojë askush. Ne kemi bërë një pezullim, deri të sqarohet kjo situatë. Jam plotësisht me ju. Edhe unë i kam hamendesimet e mia. Kam kontaktuar auditorin dhe kemi kërkuar që të krijohet një komision shtetëror për t’u shikuar a është bërë shkelje në ndaljen e pensionit që i është bërë juve. E di që ka shkaktuar vështirësi, e kuptoj shumë mirë edhe unë jam rritur sikur ju me brenga. Ky komision i cili është kërkuar të krijohet, në momentin e parë që del me rekomandimin se në mënyrë të paligjshme këto pensione, ne do i lëshojmë pensionet tuaja”, ka thënë Reçica.

Por kjo nuk i ka bindur ish-prestarët e TMK-së, të cilët me bërtitma kanë kërkuar me doemos të ju lëshohet menjëherë pensioni deri të harmonizohen ligjet.

Avdullah Bekolli nga Malisheva ka thënë se raporti i auditorit të përgjithshëm nuk ua ndalon atyre marrjen e pensioneve të TMK-së, pasi që ai nuk e obligon ministrinë që t’i ndalë ato.

“Askush nuk po themi të shkelni ligjin, po ku po i gjeni bashkë këtë kategori që po thoni se jeni krenarë për ta. Bëni verifikimin por mos na ndalni neve që po na duhet. T’i ke ardhur me votën tonë, jemi në hallë nuk kemi ardhur për qejf”, ka thënë ai.

Përderisa disa të tjerë ankoheshin për bukën e gojës, kryetari i Sindikatës ka propozuar që të shkojnë disa përfaqësues në takim me ministrin, që të merren vesh dhe pensionet të vazhdojnë deri në fund të këtij viti, pasi që buxheti veçse është i ndarë. Për këtë ka pasur edhe kundërshtime, duke thënë se duhet të bëhet zgjidhje afatgjate dhe jo vetëm deri për Vit të Ri.

Ndryshe Auditori i Përgjithshëm ka gjetur shkelje në ndarjen e dy pensioneve.

“E gjetura edhe më tej vazhdon të ketë përfitues nga më shumë se një skemë pensionale të financuara nga MPMS-ja. Rastet më të shumta të këtyre përfitueseve i takojnë kategorisë së TMK-së dhe FSK-së. Vlera e gabimit për ketë vit ishte 701,211€, që krahasuar me vitin paraprak, është rritur për 541,238€”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm që i ka bërë MPMS-së./Indeksonline/