12:09 / E Martë, 20 Gusht 2019 / indeksADMonline

Ministrat Shala e Bekteshi pajtohen për të gjetur një zgjidhje për barrierat tregtare

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala është takuar sot në Prishtinë me ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi për për shqyrtuar mundësinë e heqjes së masave të vendosura për disa produkte të Maqedonisë së Veriut, që ka ardhur si rezultat i ndalimit të rasatit të peshkut.

Ministri Shala dhe Bekteshi janë pajtuar që deri të premten Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës, t’i dërgojë një raport Agjencisë së Ushqimit të Maqedonisë së Veriut me analiza nga programi adekuat për monitorimin e produkteve, në këtë rast të vezëve të peshkut nga Kosova.

Ministri Shala tha se vetëm pasi të hiqen barrierat për peshkun, mund të hiqet reciprociteti për mjaltë dhe patate.

Ndërsa, ministri Bekteshi po ashtu tha se pasi të sigurohen nga AVUK-u do të marrin vendimin.

Ai tha se masa për peshkun është marrë ndaj të gjitha shteteve që nuk sigurojnë cilësi për peshq.