Ministri Tahiri rritë numrin e noterëve
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka njoftuar se ka dërguar në Qeveri, projektligjin për noterinë.
Tahiri tha se përmes këtij projektligji do të ndryshojë formula “një noter për 20 mijë banorë” në “një noter për 10 mijë banorë”, në secilën komunë të Republikës së Kosovës.
“Në mesin e projektligjeve që dërgova sot në Qeveri për miratim, ishte edhe projektligji për Noterinë, i cili do lehtësojë edhe më tej punën e tyre, e krahas kësaj do nxisë edhe rritjen e përgjegjësisë. Po bëjmë ndryshimet e duhura në përmbajte si dhe në strukturë. Shumë shpejt, formula “një noter për 20 mijë banorë” do jetë “një noter për 10 mijë banorë”, në secilën komunë të Republikës së Kosovës. Ky duhet të jetë inkurajim për ta dhe inkurajim për gjeneratat e reja të studentëve dhe profesionistëve të fushës, që të shohin perspektivë në profesionin e noterisë. Jam i bindur se ky projektligj do të ketë përkrahjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.”, ka shkruar Tahiri përmes një statusi në Facebook./AktivPress