16:35 / E Martë, 13 Prill 2021 / OSH

Ministria e Drejtësisë dhe Akademia e Drejtësisë u takuan për të thelluar bashkëpunimin në mes dy institucioneve

Zëvendësministrja e Drejtësisë, znj. Nita Shala së bashku me shefin e kabinetit Genc Nimoni, pritën në takim drejtorin ekzekutiv të Akademisë së Drejtësisë Enver Fejzullahu dhe Valmira Pefqeli-udhëheqëse e programit për trajnim fillestar.

Zëvendësministrja znj. Shala i njoftoi më gjerësisht rreth prioriteteve të qeverisë; luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, çështjen e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë me theks edhe të Akademisë së Drejtësisë -si një institucion që ofron trajnime dhe arsimim ligjor për gjyqtarë dhe prokurorë.

Ndër të tjerash u diskutua çështja për bashkëpunim efikas ndërmjet institucioneve të drejtësisë, dhe temat e tjera që ndërlidhen me koordinimin dhe bashkëpunimin me Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Drejtësisë.

Në anën tjetër, drejtori i Akademisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës, z. Enver Fejzullahu, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim theksoi disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohet Akademia e Drejtësisë dhe të cilat duhet të adresohen edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.

Ndër problemet kryesore të theksuara ishte nevoja për ndryshim të ligjit për Akademinë e Drejtësisë dhe përmirësimi i infrastrukturës ligjore lidhur me fushëveprimin e Akademisë.

Problemet lidhur me trajnimet fillestare të gjyqtarëve dhe prokurorëve u vlerësuan si çështje me peshë të rëndësishme dhe gjithashtu vështirësitë dhe prioritetet lidhur me angazhimin dhe bashkëpunimin e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, me akademitë simotra.

Në takim gjithashtu është diskutuar edhe për çështjet tjera të përbashkëta të cilat rrjedhin nga rishikimi funksional i sektorit të ligjit.

Palët u zotuan për më shumë angazhim në ngritje të cilësisë dhe të efikasitetit të të dy institucioneve.