19:36 / E Mërkurë, 27 Janar 2021 / Blerim

Ministria e Financave: Operacionet e Thesarit kanë vazhduar normalisht me fillimin e vitit fiskal 2021

Me qëllim të sqarimit të opinionit publik, Ministria e Financave ka njoftuar publikun se operacionet e Thesarit të Kosovës kanë vazhduar normalisht me fillimin e vitit fiskal 2021.

“Gjithashtu, edhe Sistemi Informatik për Menaxhimin e Financave Publike (SIMFK), i njohur si Sistemi i Thesarit është hapur, buxheti për vitin 2021 është vendosur në sistem, menjëherë sapo ka hyrë në fuqi dhe ka filluar të ekzekutohet, për organizatat që kanë sjellë zyrtarët e autorizuar për qasje në sistem.

Për dijeni, qasja e organizatave buxhetore në Sistemin e Thesarit bazohet në legjislacionin dhe procedurat në fuqi. Secila organizatë që e ka përfunduar dhe sjellë dokumentacionin e kompletuar në Thesar është pajisur me qasje në SIMFK, dhe buxheti për vitin 2021 ka filluar të ekzekutohet.

Megjithatë, ka ende disa organizata të cilat janë në proces të kompletimit të dokumentacionit dhe qasjet e tyre do të krijohen sapo të përfundojnë procedurat e parapara ligjore dhe teknike. Është krejtësisht në dorën e organizatave buxhetore (OB) plotësimi i dokumentacionit dhe kërkesave të legjislacionit sa i përket qasjes në sistem”, thuhet në njoftim.

Më tej ME thotë se njëra nga këto organizata është edhe Komuna e Prishtinës, e cila ditën e djeshme ka kompletuar kërkesën për qasje në sistem (26.01.2021), bashkë me kërkesën për trajtim dhe certifikim të Zyrtarit Kryesor Financiar (i emëruar dje, 26.01.2021). Kërkesa menjëherë ka filluar të trajtohet dhe qasjet do të ofrohen sapo të përfundojë procesi (brenda 48 orësh pas kompletimit të dokumentacionit nga OB).

“Për fund, ju sigurojmë që të gjitha operacionet dhe aktivitetet po zhvillohen normalisht, ndërsa rikujtojmë se ekzekutimi i buxhetit është i decentralizuar tek organizatat buxhetore, të cilave alokimet u janë dhënë sipas planit të rrjedhës së parasë, dhe janë përgjegjëse për realizimin e buxhetit të tyre, në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi.

Thesari do të procedojë në kohë të gjitha shpenzimet e aprovuara (certifikuara) nga organizatat buxhetore, në përputhje me kompetencat dhe autorizimet sipas legjislacionit ne fuqi”./Indeksonline