14:15 / E Enjte, 23 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Ministria e Financave tregon kur do të paguhen komisionerët e zgjedhjeve

Ndonëse ka mbaruar edhe raundi i dytë i zgjedhjeve, shumë prej komisionerëve dhe vëzhguesve të raundit të parë ende nuk janë paguar për punën e tyre gjatë asaj dite.

Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga 22 tetori, KQZ thotë se Ministria e Financave është përgjegjëse për mospagesën e komisionerëve dhe vëzhguesve.

Valmir Elezi nga KQZ në një prononcim për Indeksonline ka thënë se KQZ ka dorëzuar listat me të gjithë emrat në MF, ndërkaq është përgjegjësi e tyre transferi.

“Si KQZ i kemi dërguar listat me anëtarët e këshillave të vendvotimeve, me komisionerët që kanë qenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve por edhe me stafin tjetër, që kanë qenë të angazhuar. I kemi dërguar në Ministrinë e Financave për transfero të mjeteve, sepse ata e bëjnë transferin”, tha Elezi nga KQZ.

Indeksonline ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Financave lidhur me këtë çështje. Në përgjigjen e tyre elektronike thuhet se Thesari ka proceduar 18,049 pagesa.
Ndërkaq, sipas tyre, gjatë kësaj jave pritet të procedohen edhe 7,473 pagesa të tjera.

“Thesari në Ministrinë e Financave tashmë ka proceduar për pagesa gjithsej 18’049 pagesa sipas listave të dërguara nga KQZ. Nga pagesat e ekzekutuara, ka pasur pagesa të cilat janë kthyer prapa për shkak të gabimeve teknike në të dhëna (kryesisht llogaritë bankare t), të cilat sapo të korrigjohen do të ri-procedohen për pagesë përsëri në një afat sa më të shpejt. Në proces për procedim të pagesave janë edhe 7’473 përfitues të cilat do të përfundohen brenda javës”, thuhet në përgjigjen e MF-së.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 22 tetorit KQZ pati akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues./Indeksonline/