11:10 / E Shtunë, 07 Tetor 2017 / indeksADMonline

Ministria e Infrastrukturës: Rrugët e Kosovës janë të kalueshme

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj përmes Facebook-ut ka njoftuar se pas reshjeve të para të borës në vend, rrugët e Kosovës janë të kalueshme.

“Rrugët e Kosovës janë të kalueshme. Disa nga to i kamë inspektuar personalisht. Bora e mbrëmshme përveç se ka zbardhë tokën nuk e ka bërë ndonjë segment rrugorë të pakalueshëm”, ka shkruar ai, transmeton AktivPress.

Sipas Lekajt Ministria e Infrastrukturës, i ka angazhuar të gjithë drejtorët që të jenë në krye të detyrës dhe bashkë me kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve të mos lejojnë asnjë “befasi” e cila mund t’iu shkaktojë probleme qytetarëve gjatë lëvizjes së tyre në komunikacion.

“Në rrugët kodrinoro -malore është intervenuar, si në akset rrugore Pejë – Kullë, Pejë – Rugovë, Kaçanik – Hani i Elezit ka pasur erodime (rrëshqitje) të gurëve të cilët janë pastruar, Brezovicë, Prevallë, Glloboçicë dhe Zhur-Dragash”, ka shkruar ndër të tjerash ministri.

Për informacionet se qarqet më të rrezikuara të rrugës janë në Dragash, ministri ka thënë se po punohet në këtë lokacion.

“Është intervenuar dhe po vazhdon puna në largimin e drunjvë të rrëzuar nga erërat e fuqishme në drejtimet, Dragash-Restelicë, Dragash – Brod dhe Dragash – Zaplluzhë. Bora sjellë pastërti, nuk do të lejojmë që të bëhet pengesë për njerëzit”, ka përfunduar Lekaj.

Vështirësi në udhëtimet e qytetarëve nuk po raportohen as në trafikun ajror.

Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”,  Valentina Gara ka deklaruar për AktivPress se bora e parë në Kosovë nuk ka penguar fluturimet.

Ajo shtoi  se të gjitha fluturimet nga aeroporti janë realizuar sipas planit./AktivPress