11:50 / E Enjte, 15 Korrik 2021 / FG

Ministria e Kulturës mbështet Festivalin e Teatrove në Ferizaj

Festivali i Teatrove në Ferizaj, për edicionin e 50-të të tij, organizuar nga OJQ “SWOK Kosova” është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në thirrjen publike për përkrahjen e projekteve kulturore artistike të vitit 2020, në vlerë prej 8,000 euro.

Edicioni i 50-të i këtij festivali nuk është mbajtur deri më tani për shkak të rethanave të pandemisë COVID 19 dhe organizatori nuk ka arritur të përmbyllë obligimet kontraktuale ndaj MKRS si përfitues i projektit. Marrë parasysh që ky edicion nuk është mbajtur, buxheti i paraparë për mbajtjen e Festivalit të Teatrove në Ferizaj në vitin 2020 duhet të përdoret për mbajtjen e festivalit këtë vit dhe kjo u është kumtuar edhe organizatorëve të festivalit.

Pra, edicioni i 50-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj këtë vit do të mbahet me mbështetjen financiare të MKRS, të ndarë në vitin 2020. Një rast i mirë i bartjes së buxhetit nga projekti i vitit 2020 në vitin 2021 është Chopin Fest, ku organizatorët me kohë kanë kërkuar nga MKRS që për shkak të pandemisë, buxhetin e paraparë për edicionin e vitit 2020 ta shfrytezojnë në vitin 2021, pasi vitin e kaluar nuk kanë arritur ta organizojnë edicionin e festivalit.

MKRS mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi të përkrahë ngjarjet dhe aktivitetet kulturore në gjithë territorin e Kosovës, të cilat përçojnë vlera të rëndësishme të kulturës sonë dhe që promovojnë kulturën brenda dhe jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, me përkushtim do të insistojmë për transparencë dhe llogaridhënie nga përfituesit e përkrahjes financiare për shpenzimin e parasë publike.