19:22 / E Premte, 01 Korrik 2022 / OSH

​Ministria e Mbrojtjes nis parapërgatitjet për konkursin e ri për 612 ushtarë të rinj

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se sot ka filluar parapërgatitjet për shpalljen e konkursit të ri për pranimin e 612 ushtarëve të rinj aktivë dhe 367 ushtarëve të komponentës rezervë.

Me qëllim që të gjithë ata që kanë interesimin, dëshirën, pasionin dhe vullnetin që të veshin uniformën e Ushtrisë së Kosovës, si dhe për të pasur kohën e mjaftueshme që të parapërgatiten për testet e përzgjedhjes, kjo ministri ka përgatitur edhe video-materialin me titull: “Rrugëtimi me udhëzime prej ditës së aplikimit deri në ditën e betimit të ushtarit të FSK-së”.

“Prandaj ju mirëpresim në muajin shtator, në periudhën edhe kur zyrtarisht shpallim konkursin dhe fillojmë fazën e pranimit të aplikacioneve tuaja. Përgatituni me vetëbesim dhe vendosmëri për suksesin e garantuar. Bëhu ushtar i FSK-së. Shërbimi juaj për të ardhmen e sigurtë të vendit”, thuhet në njoftimin për media.

Ndryshe, sot është mbajtur ceremonia e diplomimit të kadetëve të Gjeneratës 2022 të Akademisë së Mbrojtjes – Qendrës për Studime Universitare të FSK-së “Wesley Clark”.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin autoritetet e larta shtetërore si dhe zyrtarë të tjetër të lartë vendorë e ndërkombëtarë, ndërsa ushtrisë sot iu shtuan edhe 17 oficerë të rinj.