22:05 / E Martë, 03 Tetor 2023 / MSH

Ministria e Shëndetësisë hedh poshtë spekulimet se në veri ka mungesë furnizimesh me barna dhe materiale shëndetësore

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar lidhur me furnizimet për institucionet shëndetësore në komunat veriore të vendit.

Sipas Ministrisë, pretendimet se në këto komuna ka mungesë furnizimesh me barna dhe materiale shëndetësore, janë të pavërteta.

“Bëjmë me dije se çdo kërkesë për donacione për Institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe trajtohet nga komisioni i donacioneve dhe në asnjë rast nuk ka pasur vonesë të asnjë forme. Deri më tani asnjë kërkesë e tillë nuk është refuzuar” thuhet mes të tjerash në njoftim.

Sipas MSH-së, deri më tani, të gjitha produktet që importohen nga Serbia, në përputhje me Ligjin për pajisje dhe produkte medicinale, kanë bërë përjashtim, edhe përkundër mbylljes së përkohshme të pikave kufitare.

Ky është njoftimi i plotë i Ministrisë:

Jemi sinjalizuar e informuar se ka pretendime për mungesë të furnizimeve me barna e materiale shëndetësore për qytetarët në komunat në veri të vendit.

Këto pretendime janë të pabaza dhe tendencioze. Një nga pretendimet lidhet dhe me pikat kufitare.

Përveç pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak që qëndrojnë të mbyllura për arsye të sigurisë, pika tjetër kufitare në Merdare është e hapur.

Bëjmë me dije se çdo kërkesë për donacione për Institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe trajtohet nga komisioni i donacioneve dhe në asnjë rast nuk ka pasur vonesë të asnjë forme. Deri më tani asnjë kërkesë e tillë nuk është refuzuar.

Të gjitha produktet që importohen nga Serbia në përputhje me Ligjin për pajisje dhe produkte medicinale edhe përkundër mbylljes së përkohshme të pikave kufitare edhe më herët dhe tani këto raste kanë bërë përjashtim.

Çdo deklarim tjetër që mund të jipet apo është dhënë tashmë nuk qëndron.

Gjithashtu për çdo kërkesë apo nevojë të këtyre Institucioneve shëndetësore,  Ministria e Shëndetësisë ka qenë dhe vijon të jetë e gatshme në çdo kohë për furnizim dhe çfarëdo mbështetje tjetër që mund të kërkohet.