16:48 / E Martë, 06 Tetor 2020 / indeksADMonline

Ministrja Dumoshi ndan certifikata për 150 të rinj të trajnuar në ndërmarrësi në Vushtrri e Mitrovicë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi e shoqëruar nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë bërë certifikimin e të rinjve të trajnuar për ndërmarrësi nga komuna e Vushtrrisë.

Ky trajnim është organizuar në kuadër të projektit “Aftësimi profesional për të rinj” financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Projekti ka për synim që të nxisë të rinjtë në biznes dhe t’i përgatisë ata për tregun e punës. Projekti ka zgjatur katër muaj, ku janë trajnuar rreth 150 të rinj jo vetëm në Vushtrri por edhe në Mitrovicë dhe Skenderaj. Në komunën e Vushtrrisë janë trajnuar 60 të rinj për ndërmarrësi, dizajn grafik dhe zhvillim të rrjeteve.

Ministrja Vlora Dumoshi në fjalën e saj tha: “Për mua është kënaqësi kur jam në komuna, në veçanti në ato komuna ku shihet përparimi dhe përkushtimi i punëve. Unë si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit jashtëzakonisht jam e kënaqur me bashkëpunimin të cilin e kemi pasur me kryetarin Xhafer Tahiri.

 “Puna e Ministrisë ka një angazhim të madh dhe objektivin kryesor e ka te rinia. Programi qeverisës ka paraparë këtë program të ndërmarrësisë për t’ju dhënë juve mundësinë t’i kryeni këto trajnime sepse zhvillimi ekonomik i vendit varet nga ngritja e kapaciteteve tuaja si ndërmarrës të rinj”, tha ministrja Dumoshi para të rinjve.

Në program ka qenë e planifikuar që të trajnohen vetëm 400 të rinj në 29 komuna të Kosovës, por kërkesat dhe pjesëmarrja e të rinjve ka qenë e madhe ndaj është rritur numrin, rrjedhimisht do t’i trajnouen 1255 të rinj.

Ndërkaq kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se objekti i Kalasë së Vushtrrisë asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se sa sot me prezencën e miqve nga MKRS dhe të rinjve pjesëmarrës.

“Dua të falënderoj ministren Dumoshi për angazhimin dhe trajnimin e të rinjve vushtrrias për ndërmarrësi, dizajn grafik dhe zhvillim të ueb-faqeve.

Të rinjtë përfitues u shprehën falënderues ndaj ministres Dumoshi dhe MKRS-së sepse këto trajnime janë mundësia më e mirë për të arritur sukses.