20:48 / E Mërkurë, 21 Prill 2021 / Blerim

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu reagon ndaj policit që dyshohet për sulm seksual

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arrestimit të një zyrtari policor në Gjilan si i dyshuar për veprën penale ‘sulm seksual’ ndaj një të miture.

Haxhiu me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se zyrtari i policisë është mbrojtës i të cenuarve dhe jo akter i krimit e dhunimit.

“Ai do të duhej të ishte referencë për sjelljet e secilit qytetar dhe jo vet i përfshirë në dhunime siç ka dyshime për dhunimin e një vajze të mitur nga zyrtari policor. Organet kompetente menjëherë duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe nëse këto dyshime vërtetohen,  persona të tillë jo vetëm të largohen nga uniforma, por të marrin edhe dënimin e merituar”, shkruan ajo

“Republika e Kosovës duhet të jetë vend i respektimit të lirive dhe drejtave të njeriut ku krimi e dhunimi nuk do të gjejnë vend, ku këto fenomene negative jo vetëm të ndëshkohen por as edhe të stimulohen. Askush nën petkun e zyrtarit nuk guxon të ndihet autonom karshi ligjit. Abuzuesit e dhunuesit nuk kanë vend në shoqërinë tonë, aq më pak në institucione”, ka shkruar ndër të tjera Haxhiu.