20:48 / E Hënë, 02 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Ministrja gjermane, nga Kosova paralajmëron për ndikimin rus e kinez në Ballkan

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, të dielën, gjatë vizitës që i bëri Kosovës, paralajmëroi për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe të Kinës në Ballkanin Perëndimor.

Kramp-Karrenbauer takoi homologun e saj Damir Kërstiçeviq në Kroaci të dielën dhe më pas udhëtoi për në Kosovë për të vizituar trupat gjermane të KFOR-it.

“E dimë se i tërë rajoni vlerësohet me interes të veçantë nga Kina, por edhe nga Rusia”, ka thënë Kramp-Karrenbauer në Prishtinë nga baza e KFOR-it, raporton DË në gjuhën angleze.

DË shkruan se edhe format e ndikimit, siç janë ato të njohurat nga Shtetet Baltike, po vihen re. Rusia, gjithnjë sipas DË-së, është po aq kritike për lidhjet e Baltikut me Perëndimin, sa është edhe për orientimin e mëparshëm të Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s.

Kramp-Karrenbauer tha se KFOR-i nuk po kontribuon vetëm në zgjidhjen e konfliktit bazik në rajon, por edhe për t’ia mundësuar Kosovës të vendos të ardhmen e saj politike.

“Kjo korrespondon me mirëkuptimin tonë dhe me vlerat tona të sovranitetit politik të shteteve”, tha Kramp-Karrenbauer.

Ndryshe Kramp-Karrenbauer është lidere e partisë CDU në Gjermani e cila është një parti e qendrës së djathtë. Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka qenë lidere e kësaj partie prej vitit 2000 deri në vitin 2018 kur ky post i kaloi pikërisht Kramp-Karrenbauerit.