10:31 / E Martë, 07 Korrik 2020 / indeksADMonline

Ministrja Haradinaj-Stublla telefonon kryediplomatin gjerman, flasin edhe për agjendën e liberalizimit të vizave

Meliza Haradinaj-Stublla ka zhvilluar një bisedë telefonike sot me homologun gjerman, Heiko Maas.

Kryediplomatja kosovare ka diskutuar me Maasin për gjendjen e pandemisë, zhvillimet politike në Kosovë dhe agjendën e liberalizimit të vizave.

“Marrëdhënia bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë është strategjike dhe e veçantë. Në kohëra të vështira, përkrahja gjermane ishte vendimtare për përpjekjet e paqes dhe shtetndërtimit në Kosovë dhe sot Gjermania vazhdon të jetë përkrahësja më e madhe e Kosovës Evroatlantike, e sigurisë dhe stabilitetit të saj.

Kësaj marrëdhënieje strategjike i shtohet vlera me diasporën tonë në Gjermani, e cila është kontribuese e madhe e miqësisë sonë historike, politiko-ekonomike.

Në bisedën telefonike që pata sot me ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas, diskutuam rreth gjendjes së vështirë me pandeminë, zhvillimeve politike në Kosovë dhe pritjet e mëdha në Presidencën gjermane të BE-së rreth përmbylljes së agjendës së liberalizimit të vizave.

E falënderova ministrin Maas për qëndrimin parimor që ka mbajtur Gjermania në favor të ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës, dhe shpreha besimin se dialogu me Serbinë do të zhvillohet, duke respektuar këtë parim”, shkruan Meliza Haradinaj-Stublla në Facebook./Indeksonline/