15:15 / E Martë, 29 Maj 2018 / indeksADMonline

Miqësore me Kosovën/ Formacioni i mundshëm i Shqipërisë (Foto)

Kombëtarja shqiptare e futbollit pritet të hedhë në fushë një formacion me shumë ndryshime në përballjen miqësore me Kosovën.

Në portë, Etrit Berisha rikthehet mes shtyllave, ndërsa para gardianit të Atalantës do të jetë Hysaj, në të djathtë; Veseli e Gjimshiti, në qendër; si dhe Lika, në të majtë. Mesfusha e pritshme e kuqezinjve në stadiumin e Zyrihut do të ketë Ramadanin, Ndojin, Krenar Qakën dhe Odise Roshin.

Sulmi i kuqezinjve do të përbëhet nga Sindrit Guri dhe Sokol Cikalleshi. Zbulimi i këtij sezoni në Kategorinë Superiore do të ketë kështu mundësinë të lërë përshtypje pozitive te stafi teknik, përballë një kundërshtari me nivel të ulët.

Ndeshja mes Kosovës dhe Shqipërisë zhvillohet sonte nga ora 20:00 në stadiumin e Cyrihut./IndeksOnline/