11:00 / E Enjte, 22 Gusht 2019 / indeksADMonline

Hoxha: Ratifikimi i Marrëveshjes financiare për programin IPA 2018, me vlerë 90.5 milionë euro, i rëndësishëm për vendin

Në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtur sot me datën 22 gusht, Ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha, ftoi deputetët për të miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për programin Instrumenti i Ndihmës së Paraanëtarësimit (IPA) 2018. Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes financiare IPA 2018, u miratua me shumicë të votave të deputetëve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me Bashkimin Evropian (BE) kanë negociuar dhe nënshkruar Marrëveshjen financiare IPA 2018 në vlerë prej 94.7 milionë eurosh, ku 90.5 milionë euro financohen nga BE-ja dhe pjesa e mbetur bashkëfinancohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Nën koordinimin e MIE-së janë kryer të gjitha procedurat e nevojshme rreth marrëveshjes financiare për IPA 2018”, theksoi Ministrja Hoxha.

Duke theksuar rolin e kësaj marrëveshjeje, ministrja Hoxha vuri në dukje se Marrëveshja financiare IPA 2018, është tejet e rëndësishme për mbështetjen e vendit tonë gjatë procesit integrues në fusha qenësore si sundimi i ligjit, qeverisja e mirë, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e ambientit. Kjo marrëveshje e pritet të hyjë në fuqi më së largu deri më 31 dhjetor 2019.

Në fund, Ministrja Hoxha falënderoi deputetët për trajtimin me prioritet ratifikimin e kësaj marrëveshje duke i kontribuar në masë të madhe procesit reformues të Republikës së Kosovës.