11:56 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / k.v

Miratohet, në parim, Projektligji për financimin e subjekteve politike

Në seancën e sotme deputetët e kanë miratuar, në parim, Projektligjin për financimin e subjekteve politike, me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton në parim edhe projektkodin civil të Kosovës, përmes së cilit ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se synohet të bëhet rregullimi i dispozitave ligjore të së drejtës civile.

Komisioni për legjislacion i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës miratimin e këtij projektkodi.

“Përmes këtij projektkodi synohet të bëhet rregullimi dhe harmonizimi i dispozitave ligjore të së drejtës civile si Ligjit të marrëdhënieve të detyrimeve, kontratave dhe detyrimeve të tjera nga shkaktimi i dëmit, pasurimit pa bazë, Ligjit të pronësisë dhe të drejtave të tjera, Ligjit të familjes dhe Ligjit të trashëgimisë.

Ai tha se Kodi civil do të jetë i strukturuar në pesë libra.

“Në librin e katër, familja, disa prej çështjeve kryesore që janë adresuar janë: janë përmirësuar dispozitat ligjore të Ligjit të familjes në aspektin e kuptimit më të mirë, është siguruar më mirë barabarësia para ligjit për të gjithë personat në raportet familjare, është siguruar një mbrojtje më e mirë për të drejtat pronësore për gratë, duke paraparë për herë të parë kontratën me të cilën mund t’i rregullojnë raportet pronësore, nëse nuk ka kontratë zbatohet ligji dhe pasuria është e barabartë 50% me 50% për secilin bashkëshortë”, tha ai.