17:40 / E Enjte, 09 Korrik 2020 / indeksADMonline

Miratohet rezoluta për mbrojtjen e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës

Është miratuar rezoluta që e mbron luftën çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës, e propozuar nga deputetja e AKR-së, Mirlinda Sopi-Krasniqi.

Rezoluta u miratua me 61 vota për, shkruan Indeksonline.

Teksti i plotë i Rezolutës:

REZOLUTË PËR UNITETIN POLITIK E QYTETAR NË MBROJTJE TË VLERAVE TË POPULLIT TË KOSOVËS

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson faktin se në Kosovë shteti serb ka kryer spastrim etnik, duke dëbuar në mënyrë të organizuar rreth 1 milion qytetarë; ka vrarë mbi 12.000 civilë, në mesin e të cilëve mbi 1300 fëmijë; ka kryer më shumë se 400 masakra; ka dhunuar rreth 20.000 gra dhe vajza; si dhe ka shkatërruar pasurinë e qytetarëve, monumentet kulturore, fetare e historike dhe infrastrukturën e Kosovës.

2. Kuvendi i Republikës e Kosovës kërkon që domosdoshmërisht të gjendet zgjidhje sa më e shpejtë e çështjes së të pagjeturve, të cilët janë zhdukur si rezultat i veprimeve agresore të shtetit serb ndaj popullit të Kosovës.

3. Kuvendi i Republikës së Kosovës ia rikujton bashkësisë ndërkombëtare përpjekjen 20 vjeçare për të vendosur drejtësi ndaj veprimeve të shtetit serb në Kosovë, si dhe qasjen e vazhdueshme refuzuese të Republikës së Serbisë ndaj këtyre kërkesave. Kuvendi i Republikës së Kosovës ri-përsërit thirrjen për drejtësi të plotë dhe vendosjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e krimit të shtetit serb ndaj popullit të Kosovës. Heshtja ndaj këtyre krimeve, në Kosovë kuptohet si amnisti dhe tolerim ndaj krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë, dhe si privim ndërkombëtar i kërkesave dhe veprimeve për ndëshkimin e kriminelëve të shtetit serb që kryen krime çnjerëzore në Kosovë.

4. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikujton qasjen selektive ndaj krimeve të shtetit serb në Kosovë, duke mbrojtur agresorin dhe duke gjykuar viktimën, si dhe sjell në vëmendje rastet e inskenuara të Serbisë ndaj shtetasve të Kosovës, siç është rasti i njohur si “Panda”, dhe shumë raste tjera të ngjashme. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikujton sakrificat e mëdha të popullit të Kosovës, të brezave të tërë, për liri dhe pavarësi, dhe i konsideron të papranueshme tentimet e shtetit serb që me fabrikime të përpiqet ta rishkruajë historinë e Kosovës.

5. Republika e Kosovës në vazhdimësi ka qenë e gatshme për ta vërtetuar drejtësinë e luftës mbrojtëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe është edhe sot e gatshme ta bëjë të njëjtën gjë me Dhomat e Specializuara. Pastërtia e luftës së UÇK-së është vërtetuar disa herë në proceset e zhvilluara nga mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare, siç janë UNMIK-u, Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi, EULEX-i dhe drejtësia vendore.

6. Republika e Kosovës është shtet i ndërtuar mbi sakrificën e popullit të Kosovës, të drejtën e saj legjitime për pavarësi dhe vetëvendosje, rezistencën paqësore, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vullnetin dhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për ndërtimin e shtetit, bazuar në të drejtën ndërkombëtare të vërtetuar edhe sipas vendimit të GJND-së. Republika e Kosovës ka shpallur pavarësinë dhe ka ndërtuar shtetin, duke respektuar të gjitha standardet ndërkombëtare në kuptimin më afirmativ përkitazi me të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

7. Përkundër agresionit serb, qasjes jo bashkëpunuese të Republikës së Serbisë dhe dëmeve njerëzore e materiale të Republikës së Kosovës të shkaktuara nga shteti serb, Republika e Kosovës ka treguar vazhdimisht gatishmëri dhe bashkëpunim, me qëllim të vendosjes së paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë.

8. Kuvendi i Republikës së Kosovës respekton Dhomat e Specializuara dhe kërkon që puna e tyre të bazohet në respektimin e ligjeve të Kosovës dhe rregullave ndërkombëtare të funksionimit të saj, dhe që këto Dhoma të jenë fer e të paanshme në trajtimin e të gjitha lëndëve.

9. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh shqetësim për shkeljet e mundshme procedurale të bëra me rastin e publikimit të emrave përkitazi me propozim-aktakuzën e pakonfirmuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.

10. Kuvendi i Republikës së Kosovës e sheh të domosdoshëm unitetin politik e qytetar, për ta mbrojtur luftën çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës, duke ritheksuar faktin se Kosova edhe sot përballet me Serbinë. Ky unitet politik e qytetar, që ka për synim vendosjen e drejtësisë në pajtim me Rendin Kushtetues të Kosovës, ri-konfirmon përkushtimin për bashkëpunim dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n, si dhe përkushtimin për fqinjësi të mirë.

Kujtojmë që në seancën e sotme nuk u ratifikuan pesë marrëveshje ndërkombëtare financiare, të cilat janë:

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar.  (75 vota për, nuk ka pasur vota kundër dhe as abstenim)

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan. (75 vota për, nuk ka pasur vota kundër dhe as abstenim)

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. 75 vota për, asnjë kundër asnjë abstenim. (75 vota për, nuk ka pasur vota kundër dhe as abstenim)

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit ‘Dogana 2020’. (75 vota për, nuk ka pasur vota kundër dhe as abstenim)

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”. (75 vota për, nuk ka pasur vota kundër dhe as abstenim).