Miratohet trajtimi i parë kundër malaries për foshnjat dhe fëmijët

Një trajtim i ri kundër malaries, i krijuar posaçërisht për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, është miratuar për përdorim dhe pritet të vihet në dispozicion në disa vende afrikane brenda javëve të ardhshme.
Ilaçi i quajtur Coartem Baby (ose Riamet Baby), është zhvilluar nga kompania farmaceutike Novartis, në bashkëpunim me organizatën jofitimprurëse Medicines for Malaria Venture (MMV). Trajtimi është projektuar për të përmbushur nevojat e fëmijëve shumë të vegjël, një grupmoshë që deri më tani ka pasur mungesë trajtimesh të përshtatshme për trupin dhe sistemin e tyre imunitar ende të pazhvilluar.
Sipas të dhënave të fundit, malaria ishte përgjegjëse për rreth 597 mijë vdekje në vitin 2023, dhe rreth 75% e viktimave ishin fëmijë nën moshën pesë vjeç, kryesisht në kontinentin afrikan. Mjekët e kanë ngritur prej kohësh shqetësimin për mungesën e opsioneve të sigurta dhe efektive të trajtimit për këtë grupmoshë.
Ilaçi i ri ka kaluar testime klinike në tetë shtete afrikane dhe do të shpërndahet fillimisht në rajonet me shkallën më të lartë të infeksionit. Ai do të ofrohet me një çmim të ulët, me bazë jo-fitimprurëse, për të garantuar qasje më të gjerë, sidomos për familjet me të ardhura të kufizuara.
Zyrtarë të Novartis dhe MMV e kanë cilësuar miratimin e këtij trajtimi si një përparim historik në përpjekjet globale për të luftuar malarien. Ata theksuan se përfshirja e fëmijëve më të vegjël në trajtime të sigurta dhe efektive është thelbësore për të reduktuar vdekshmërinë dhe për të çuar përpara objektivin afatgjatë të eliminimit të kësaj sëmundjeje.
Ekspertët e shëndetit publik, si profesorja Marvelle Brown nga Universiteti i Hertfordshire, kanë përshëndetur këtë hap si thelbësor për uljen e pabarazisë në kujdesin shëndetësor, duke vënë në dukje se fëmijët në Afrikën Sub-Sahariane përballen me rrezikun më të lartë për shkak të kushteve të dobëta imunitare dhe mungesës së aksesit në trajtim.
Miratimi dhe shpërndarja e Coartem Baby përfaqëson një hap domethënës në mbrojtjen e fëmijëve më të pambrojtur në botë ndaj një prej sëmundjeve më vdekjeprurëse.