16:15 / E Enjte, 18 Tetor 2018 / indeksADMonline

Mirkoviq: Vuçiqi do të përfundojë si të gjithë diktatorët

Sasha Mirkoviqi, ish-deputet i partisë së Aleksandar Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë, tash sa kohë është duke u përndjekur në forma të ndryshme nga e ashtuquajtura drejtësi në Serbi.

Mirkoviqi ka thënë për Indeksonline se “Aleksandar Vuçiqi do të përfundojë siç përfundon çdo diktator! Ai me shokët e tij kriminelë, shumë shpejt do të bien nga pushteti dhe do të mbesin në mëshirën e viktimave të tyre. Përfundimin e kanë të keq, e kanë të tmerrshëm”.

Duke marrë parasysh se është producent i dokumentarit “Rikoshet – kush e vrau Oliver Ivanoviqin”, Mirkoviqi, përveç kërcënimeve indirekt, ndjekjes nga paditë që i bëhen nga njerëzit e Vuçiqit, së voni edhe u rrah në Mitrovicën e Veriut. Mirkoviqin e rrahën në prani të Vuçiqit rojat e afërta të tij, gjersa Vuçiqi po vinte kurorë në vendin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Rrahjen e tij, më 9 shtator, e kanë raportuar shumica e mediave ballkanike, por asnjë nga mediat kryesorë në Serbi, të cilat janë nën regjimin e Vuçiqit.

Në një prononcim për Indeksonline, Sasha Mirkoviqi ka thënë se “gjersa isha duke ia bërë pyetjen Vuçiqit, (gjersa po rrinte me Millan Radojçiqin dhe disa njerëz me koka të rruara), se pse u vra Oliver Ivanoviqi, me një pjesë të revoles njëri nga rojat e tij më goditi në kokë”.

“Më vjen vështirë këto ditë që të flas për gjithë atë që kanë bërë këta njerëz. Të flas për atë se çfarë po më bëjnë mua dhe familjes sime! Nuk e di a janë të vetëdijshëm se çfarë do t’ju ndodhë kur ta humbasin pushtetin, sepse kanë përndjekur njerëz, i kanë rrahur dhe i kanë vrarë njerëzit e pafajshëm, sepse e kanë shitur dhe tradhtuar vendin”, ka thënë Sasha Mirkoviqi.

“Dhëmb për dhëmb, sy për sy! Nuk do të ketë falje për gjithë atë që e kanë bërë dhe po e bëjnë me shumë njerëz në Serbi, ndaj të cilëve nuk po ndërpritet presioni dhe dhuna. Mirëpo do t’ju mbijetojmë të gjithave, edhe maltretimeve, edhe ndjekjes dhe grabitjes, e çfarë do të bëjnë ata më pas, do ta shohim”, kërcënon Sasha Mirkoviqi njerëzit e dikurshëm të partisë së tij, deputet i së cilës ishte në Kuvendin e Serbisë.