10:41 / E Enjte, 14 Shkurt 2019 / indeksADMonline

MIT: Greva e Kontrollorëve të Trafikut Ajror mund të shkaktojë pasoja të mëdha për vendin tonë

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka reaguar në drejtim të grevës nga Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.

Sipas MIT, greva e cila po mbahet nga SINKON dhe ASHNA rrezikon të dëmtoj seriozisht operimet e Aeroportit ‘Adem Jashari’, gjë e cila mund të shkaktoj pasoja të mëdha për vendin tonë, në një fazë delikate për marrjen e përgjegjësive nga institucionet vendore të aviacionit civil.

Në një publikim nga MIT u tha gjithashtu se kanë pranuar me shqetësim vazhdimin e grevës, përkundër propozimit të marrëveshjes me shkrim nga ana e ministrit, Pal Lekaj.

Në këtë memorandum mirëkuptimi thuhet se janë të përfshirë kërkesat që Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror ka paraqitur pas marrëveshjes së tyre në ligjin për pagat, transmeton Indeksonline.

Tutje u theksua se ministri Lekaj u qëndron premtimeve se do të punojë në vazhdimësi deri në rregullimin e statutit të kontrollorëve ajror dhe se pret reflektim nga këta të fundit.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka pranuar me shqetësim vazhdimin e grevës nga kontrollorët e trafikut ajror, përkundër propozimit të marrëveshjes me shkrim nga ana e Ministrit Pal Lekaj. Në këtë memorandum mirëkuptimi janë të përfshirë kërkesat që Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror ka paraqitur pas përfshirjes së tyre në ligjin për pagat.

E drejta e punëtorëve për grevë është e garantuar me ligjin në fuqi, por ajo duhet të zhvillohet brenda kornizave të ligjit për greva. Për shërbimet e rëndësisë jetike, siç është shërbimi i navigimit ajror nevojiten të plotësohen disa kushte të caktuara dhe të sigurohet minimumi i procesit të punës gjatë grevës, duke mos e rrezikuar në asnjë moment sigurinë e aviacionit, jetën apo shëndetin e njerëzve dhe duke parandaluar shkaktimin e dëmit me pasoja të mëdha.

Greva e cila po mbahet nga SINKON e ASHNA rrezikon të dëmtoj seriozisht operimet në ANP “Adem Jashari” gjë e cila mund të shkaktoj pasoja të mëdha për vendin tonë, në një fazë delikate për marrjen e përgjegjësive nga institucionet vendore të aviacionit civil.

Prandaj, MIT edhe një herë ju bën thirrje SINKON të ASHNA që të rishqyrtojnë pozicionin e tyre dhe të pezullojnë grevën e nisur. MIT nën udhëheqjen e ministrit Lekaj është e gatshme që të ndërmarrë të gjitha masat brenda kompetencave të saj me qëllim të adresimit të të gjitha shqetësimeve të SINKON të ASHNA.

Lekaj u qëndron premtimeve se do të punojë në vazhdimësi deri në rregullimin e statusit të kontrollorëve ajror, prandaj pret reflektim nga këta të fundit.