09:32 / E Hënë, 22 Shkurt 2021 / C E

Mizori ndaj kafshëve në Shqipëri – 40 qen torturohen të lidhur, pa ushqim dhe nën temperaturat -12 gradë

Keqtrajtimi i kafshëve vijon të jetë një problematikë e ndishme në vendin tonë. Kemi publikuar shumë raste nga vende të ndryshme të Shqipërisë, ku kafshët, trajtohen në mënyrë çnjerëzore: vriten, helmohen ose lihen pa ngrënë për disa ditë me radhë derisa të ngordhin.

E tillë paraqitet situata edhe në Pogradec. Në një postim në Instagram, Arsalbania ka bërë me dije se Bashkia – Pgradec ka punësuar njerëz vetëm për të kapur dhe transportuar qentë në një magazinë në periferi të qytetit. Qentë janë lënë më pas në kushte të tmerrshme derisa kanë ngordhur.

Qentë mbahen të lidhur në ambiente të jashtme, pa ushqim ndërsa temperaturat shkojnë -12 gradë Celsius. Edhe pas katër vjetësh, situata paraqitet e njëjtë dhe Bashkia e Pogradecit ka përsëritur ngjarjen së fundmi, ku ka lidhur rreth 40 qen në trungjet e pemëve midis borës dhe acarit. Sipas Arsalbania, Bashkia – Pogradec ka reaguar dhe ka thënë se s’ka gisht në këtë ngjarje dhe se përgjegjës është pikërisht personi i punësuar, i cili i torturonte qentë që kapte në qytet. Bashkia ka bërë një kallëzim anonim, pa emër dhe mbiemër për personin në fjalë.