13:12 / E Martë, 25 Shtator 2018 / indeksADMonline

Mjekët do të ikin nga Kosova nëse nuk u rriten pagat

Këto kërkesa ata i paraqiten në tryezën e organizuar nga ta ku u diskutua mbi Projektligjin e pagave si pjesë e pakos legjislative të reformës në Administratën Publike.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës Blerim Syla tha se me gjithë ndryshimet që janë bërë në sektorin e shëndetësisë, aspekti i pagave për punëtorët shëndetësorë lë shumë për të dëshiruar.

Ai si shqetësim gjatë kësaj tryeze e ka shfaqur edhe ikjen e mjekëve dhe studentëve për çka tha se nëse nuk plotësohet koeficienti që ata kërkojnë, largimi i tyre do vazhdojë.

Syla duke i shpalosur kërkesat e Federatës Sindikale për plotësime në ligjin e pagave tha se në këtë projektligj nuk janë ranguar stomatologët, psikologët klinik, ndërsa është bërë një renditje jo e duhur për infermierët.

“Ajo çka kërkuar Federata e Sindikatave është konform rregullave, neneve që i kanë qitur në atë ligj. Kemi kërkuar që koeficienti i mjekut specialist të jetë gjashtë, dhe mandej të shkojmë me 0.5 tek mjeku familjar, tek mjeku i përgjithshëm dhe mjeku në specializim. Kemi parë mangësi aty që nuk janë ranguar stomatologët, mjekët specialist stomatolog, psikologët klinik. Ndërsa për infermier të cilët janë me bachelor dhe infermier të thjeshtë ne kemi parë një renditje jo të mirë dhe jo të kënaqshme…në tri nivele si duket është tentim i manipulimit dhe kemi propozuar që të kemi veç dy kategori, niveli bachelor të paguhet me 2.7, ndërsa niveli i infermierëve të paguhet me 2.2” , tha Syla.

Kryetari i FSSHK-së u shpreh i shqetësuar edhe për moshën e shtyrë të personelit mjekësor që punojnë në sektorin shëndetësor në vendin tonë.

Ministri i Shëndetësisë,Uran Ismajli u shpreh se ka pasur fokus intensiv në përmirësimin e infrastrukturës mjekësore në vend, duke shtuar se në shëndetësinë kosovare duhet të investohet në trajtimin më të mirë të pacientëve dhe investimi në edukimin për punëtorët shëndetësor.

Duke folur për largimin e personelit shëndetësor nga Kosova, Ismajli u shpreh se mekanizmi kryesor që personeli shëndetësor të qëndrojë në Kosovë është paga e dinjitetshme.

Ai tha se në bazë të ligjit të ri për pagat, mjekët specialistë do marrin paga shumë më të mira se sa që i kanë pasur deri më tani, dhe se ky ligj ka nevojë për disa ndryshime.

Temat: