16:13 / E Premte, 18 Shtator 2020

Mjekët dorëzojnë peticion në Qeveri për shtesën prej 300 eurove

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës njofton se pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës ka dorëzuar Peticionin e punëtorëve shëndetësore dhe stafit mbështetës të realizuar nga data 14.09.2020.

Përmes Peticionit punëtorët shëndetësor dhe stafi mbështetës kanë shprehur revoltën e tyre për mos realizimin e Vendimit të Qeverisë të datës 29.07.2020 me nr.05/18 për shtesën në pagë prej 300.00 euro për muajt korrik dhe gusht 2020.

FSShK thotë se peticioni është mjeti i fundit juridik i ndërmarr nga anëtarësia e gjerë drejtuar institucionit të Kryeministrit, aq më shumë kur janë dëshmitarë të deklaratave të pa qarta të Kryeministrit në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës.

“Andaj në qoftë se nuk merren seriozisht nënshkrimet e punëtorëve shëndetësor dhe stafit mbështetës në drejtim të realizimit të kësaj të drejte, FSSHK nga e Hëna do të dal me veprime konkrete duke filluar nga dorëzimi i mjeteve transportuese të emergjencës, dorëzimi i mjeteve për pastrim nga ana e punëtorëve të higjienës, mos funksionimi i sistemeve teknike dhe sigurimi i objekteve shëndetësore, të gjitha këto bijnë në përgjegjësinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ngase ne e kemi konsumuar dialogun social”, thuhet në njoftimin e FSShK-së.